"Të gjithë në kurse private, me mësuesit e lëndëve"
Nxënësit e shkollave të qytetit të Elbasanit ditën ndjekin shkollat publike dhe pasditeve paguajnë të njëjtët mësues për kurse private. Një përfundim i tillë, del pas një anketimi të realizuar gjatë muajit maj nga dega e lëvizjes Mjaft në Elbasan ku u kontaktuan gjithsej 1500 nxënës në arsimin publik të këtij qyteti dhe rezultoi se 46.8% e të anketuarve ndjekin kurse private. Sipas anketimit të kryer nga klubi i Mjaft-it, në Elbasan, pothuaj të gjithë të anketuarit i kryejnë kurset private me mësuesit që përgjigjen për lëndën përkatëse. Vetëm 2% e të anketuarve kryejnë kurse me mësues jashtë shkollave të tyre, apo me mësues të tjerë nga e njëjta shkollë, ndërsa pjesa tjetër (98%) deklaruan se i kryejnë kurset me mësuesit që u jepnin lëndët përkatëse. Nxënësit pohuan se ata i ndjekin kurset private për dy arsye: 24% e tyre nuk janë të kënaqur me nivelin e mësimdhënies në klasë; ndërsa 22.8% mendojnë se nuk vlerësohen me notën që meritojnë, duke pohuar se në një farë mënyre ndihen të kërcënuar, nëse nuk ndjekin kurset private të mësuesve të tyre. Ky anketim, pohojnë drejtuesit e Mjaft-it, u zhvillua në 6 shkolla: "Ahmed Dakli", "Dhaskal Todri", "Kostandin Kristoforidhi", "Mahmud Ali Cungu" (Gjuhët e Huaja), "Qemal Stafa" dhe "Mahir Domi". Pas nxjerrjes së rezultateve, shkollat u lajmëruan për gjendjen alarmante në të cilën ndodhen, pasi për shkak të moskujdesjes apo mungesës së korrektësisë të mësuesve gjatë orës së mësimit, ka shumë nxënës të tjerë, të cilët nuk arrijnë të përfitojnë dije. Kjo pasi mes tyre ndodhen edhe nxënës me të ardhura të pakta në familje e për ta, kursi privat është një luks i papërballueshëm. "Ndërkohë që kudo flitet për luftë kundër korrupsionit, të dhënat e mësipërme flasin qartë se në rastin konkret kemi të bëjmë me edukimin më të keq që u jepet të rinjve mbi këtë problem, duke i përfshirë në një skemë indirekte mitmarrje", vërejti drejtuesi i Mjaft! Club Elbasan.