E Shtunë, 31 Tetor 2026

I forti i Fierit "gjunjëzon" shtetin edhe pas arrestimit

Hije skandali në drejtësinë shqiptare. Tre institucionet zbatuese të ligjit, prokuroria, policia dhe gjykata kanë dështuar në vënien para drejtësisë sipas normave ligjore për një shtetas shqiptar. Arben Isufaj, i ashtuquajturi Ben Qimja, i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për një vrasje në vitin 2002. Dosja është hapur në muajin shkurt të këtij viti dhe ishin siguruar disa prova. Materialet janë dërguar në gjykatë për vlerësimin e masës së arrestit. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur të arrestojë Arben Isufajn në bazë të provave të paraqitura nga akuza. Po ashtu edhe Gjykata e Apelit, ndërsa kërkesa është depozituar në Gjykatën e Lartë. Katër ditë më parë kjo gjykatë vendosi të mos pranojë kërkesën e organit të procedimit penal, pasi, sipas saj, provat e paraqitura nuk ishin ligjore. Përpos këtij vendimi, forcat speciale të policisë arritën të zbatonin vendimin e Gjykatës së Apelit dy ditë më parë, pasi nuk kishin dijeni për vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo ka sjellë hije dyshimi nga ana e prokurorisë dhe gjykatës, të cilët kanë reaguar duke pohuar se policia duhet të veprojë në bazë të urdhrave të organit të akuzës.

Kërkesa në gjykatë

Prokurori Ervin Karanxha, që ka hetuar vrasjen e Piro Koçiut në vitin 2002 në Tiranë, do të paraqesë sot në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për vlerësimin e masës së arrestit për Arben Isufajn. Burime nga Prokuroria e Tiranë thanë se hetuesi i çështjes nuk do të kërkojë lirimin e Arben Isufajt, pasi ka disa prova që e implikojnë atë në vrasje. "Në Gjykatën e Tiranës do të paraqitet një kërkesë për rivlerësimin e masës së arrestit. Pritet që Gjykata e Lartë të zbardhë vendimin për pushimin e masës së arrestit për shtetasin Arben Isufaj. Më pas janë togat e zeza që do të vendosin nëse do të mbajnë apo jo në qeli të ashtuquajturin Ben Qimja", thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas saj, arrestimi i Isufajt konsiderohet i paligjshëm, pasi forcat e policisë nuk kanë zbatuar vendimin e gjykatës. Gjithsesi, megjithëse është konsideruar si arrestim i paligjshëm, hetimet ndaj tij do të vazhdojnë, dhe gjykata do të vendosë përfundimisht nëse do ta lirojë ose jo Isufajn.

Dosja e prokurorisë

Prokuroria e Tiranës ka rihapur dosjen e ekzekutimit të Pirro Koçiut në muajin shkurt të këtij viti, pas interesimit të familjarëve të tij. Këta të fundit kishin paraqitur një provë në organin e akuzës, të cilën e kishin siguruar vetë. Bëhej fjalë për aktin e ekspertimit të pistoletës që është vrarë Koçiu. Pistoleta është marrë në Angli dhe i është nënshtruar privatisht një akti të ekspertimit. Në pistoletë rezultuan shenja gishtash të Arben Isufajt, çka hodhi dyshimin se një nga bashkëpunëtorët ishte edhe i ashtuquajturi Ben Qimja. Prova është paraqitur në organin e akuzës, dhe në bazë të saj ka filluar procedimi penal. Hetuesit e çështjes dyshuan se një nga autorët e vrasjes së Koçiut ishte edhe Arben Isufaj, për të cilin kërkuan në gjykatë arrestimin e tij. Gjykata e Rrethit dhe Apelit vlerësoi si të drejtë kërkesën e prokurorisë, por Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë provën paraqitur nga organi i akuzës të marrë privatisht. Sipas gjykatës, ekspertiza private e kryer në Londër nuk mund të quhet provë ligjore dhe për këtë arsye i kërkoi prokurorisë riverifikimin e masës së sigurisë.

Njoftimi i policisë

I njohuri Ben Qimja akuzohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e shtetasit Piro Koçiu, ngjarje e ndodhur më datë 12 gusht të vitit 2002 në rrugën "Him Kolli" në Tiranë. Pas hetimeve të njëpasnjëshme, i arrestuari është evidentuar dhe më pas është arrestuar gjatë një operacioni special të uniformave blu. Policia kishte dështuar dy herë në përpjekjet e saj për të vënë në pranga biznesmenin nga qyteti i Fierit. Arben Isufaj, i shpallur në kërkim që në shkurt të vitit 2006, pasi dyshohet për vepra të ndryshme penale, herën e fundit ka arritur të çajë rrethimin e policisë në Fier. Dështimi i operacionit të madh, me përfshirjen e forcave të rendit dhe atyre të ndërhyrjes së shpejtë, u bë publik vetëm 24 orë pasi Ahmet dhe Arben Isufaj, xhaxha e nip, duke përdorur edhe armët arritën t‘u shpëtonin prangave. Policia njoftoi se gjatë operacionit të fundit, në maj të vitit 2007, në vendin e quajtur Sheq i Madh, Fier, u organizua operacioni policor për kapjen dhe ndalimin e Ahmet Isufajt.

Drejtori i përgjithshëm i policisë sqaron arrestimin e bujshëm: Nuk e dinim për ndryshimin e masës

Premçi: Është më mirë ta kemi në qeli "Qimen"

"Është më mirë ta kemi në qeli Arben Isufajn, që të mund ta përballim me provat". Ky është pohimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, një ditë pas arrestimit të Arben Isufajt, të njohur në Fier me nofkën Qimja. Policia duket se është befasuar nga lajmi se 37-vjeçari fierak është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë për akuzën e vrasjes së Pirro Koçiut. Drejtori i përgjithshëm i policisë ka deklaruar për "Shqip" se "ne nuk kemi qenë në dijeni të ndryshimit të masës së sigurisë për Arben Isufajn, ndaj dhe arrestimin e tij e quajmë të vlefshëm dhe konform ligjit". Por i vetëdijshëm për fuqinë e vendimit të gjykatës, Premçi thotë se "ne do të kërkojmë nga prokuroria që Isufaj të mbetet në burg, pasi duke qenë i prangosur është më e lehtë përballja e tij me provat e siguruara nga policia". Ky është rasti i dytë kur policia vepron për arrestimin e Qimes, pa u informuar nga organet e drejtësisë për statusin e tij penal. Një aksion i madh policie dështoi bujshëm në Fier një vit më parë. Në atë kohë, forcat e Komisariatit të Fierit, të mbështetura edhe nga efektivë të FNSH-së rrethuan shtëpinë e xhaxhait të Ben Qimes, Ahmet Isufajt, me qëllim arrestimin e të dy këtyre personave, si të dyshuar për trafik ilegal të lëndëve narkotike. Por duke kërcënuar policët me armë, Arben dhe Ahmet Isufaj arritën të largoheshin nga shtëpia, pa u prangosur, ndërkohë që një ditë më pas, prokuroria bëri të ditur se çështja penale në ngarkim të Isufajve ishte pushuar, për mungesë provash. Më herët, Policia e Fierit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim, edhe pse gjeti në pronën e Isufajve një furgon të blinduar të vjedhur nga një komisariat policie, një stacion radioje policie, si dhe një sasi të konsiderueshme municionesh luftarake. Sipas burimeve nga Policia e Fierit, gjatë një viti numërohen gjashtë operacione të dështuara për arrestimin e Arben Isufajt. Dështimi i fundit u shënua dy javë më parë, kur policia rrethoi një lokal në periferi të Fierit, por Qimja ishte larguar vetëm pak minuta më parë, duke lënë në lokal shokët e tij, që u shoqëruan dhe u lanë të lirë shumë shpejt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›