E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët përfitojnë pagesën e qirasë së shtëpisë e ushqimin

Shteti do t‘u paguajë qiranë e banesës dhe ushqimin të gjithë ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave pas propozimit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. Në relacionin e projektligjit të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes përcaktohet se oficeri aktiv i Forcave të Armatosura, i cili nuk e ka ndryshuar vendbanimin familjar, pasi nuk ka pasur mundësi strehimi dhe nuk përfiton kompensim për qira banese, gëzon të drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim, për tre vakte sipas normës, ndërsa përcaktohet gjithashtu që ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv gëzojnë të drejtën e kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës. Këto norma i referohen vendimit të Këshillit të Ministrave nr.160, datë 9.7.1975, i cili është shfuqizuar nga pika 7 e vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.494, datë 1.8.2007 "Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar deri në sqarimin e pozitës së tyre". Kostoja financiare e këtij projektvendimi është 95.000.000 lekë, të cilat do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2008. Gjithashtu, në projektligj thuhet se Ministria e Mbrojtjes përcakton dhe miraton strukturën e racionit bazë të ushqimit ditor në përputhje me kaloritë dhe vlerën financiare. Ndërsa në lidhje me masën e vlerës për kompensimin e ushqimit sqarohet se kjo e fundit realizohet në bazë të pikës 5 të vendimit nr.524, datë 30.7.2004, ku thuhet se masa e vlerës për kompensimin e ushqimit përcaktohet çdo vit nga Ministria e Mbrojtjes në bazë të çmimeve mesatare vjetore. Ky projektligj i shtrin efektet financiare nga data 17.2.2008 që është edhe momenti i hyrjes në fuqi i normave të ushqimit të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se projektligji i është dërguar për mendim edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave, të cilat e kanë pranuar si propozim. Gjithashtu Këshilli i Ministrave ka miratuar dje edhe një vendim tjetër për miratimin e normës së ushqimit të efektivëve të Gardës së Republikës. Aty thuhet se efektivi i Gardës së Republikës do të trajtohet me normën ditore të ushqimit të përcaktuar në ligj. Efekti financiar që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi në shumën 231000 lekë për racion ditor përballohet nga buxheti i vitit 2008, i miratuar për gardën. Për zbatimin e këtij vendimi, Këshilli i Ministrave ngarkon Ministrinë e Brendshme dhe Gardën e Republikës. Këto vendime hyjnë në fuqi pasi botohen në Fletoren Zyrtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›