E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja, SHKB-ja: Ahmeti, i pafajshëm

Shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës është hetuar edhe nga SHKB-ja për incidentin me prokuroren, por për çudi ka dalë i pafajshëm. Si rrallë herë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka deklaruar se një punonjës policie është i pafajshëm gjatë incidenteve me njerëz të tjerë, duke hedhur dyshime për objektivizmin e punës së prokurorisë. Madje, për këtë incident, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ka bërë një raport për ministrin Nishani, duke deklaruar se shefi i Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, është fyer dhe kundërshtuar nga personat e tjerë dhe nuk ka kryer asnjë shkelje penale. Ndërkohë, ky raport nuk është marrë parasysh nga prokuroria, pavarësisht se i është vënë në dispozicion prokurorit të çështjes që në ditët e para të hetimit. Ky fakt duket se po sjell një luftë të ftohtët mes dy institucioneve, ku prokuroria po kërkon me çdo kusht pezullimin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore, ndërkohë që nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e ka mbrojtur hapur, duke këmbëngulur se Ahmeti ka kryer detyrën dhe këto janë akuza të pabaza. Por, tashmë çdo gjë ka mbetur në dorë të Drejtësisë, ku brenda disa ditësh pritet që Gjykata e Apelit të japë verdiktin e saj, nëse Ahmeti do të pezullohet apo do të vijojë punën e tij në Policinë Rrugore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›