E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria 95 vendime nuk kane fuqi ligjore

Monitorimi: Aktet e Këshillit të Ministrave të papublikuara në Fletoren Zyrtare

Raporti monitorues i transparencës së botimeve zyrtare për vitin 2009 ka vlerësuar me notën 10 Kuvendin e Shqipërisë për sa i takon rregullsisë në botimin e ligjeve në Fletore Zyrtare. Ndërsa ky raport ka gjetur probleme në shumë nga ministritë duke e bërë relative transparencën e botimeve zyrtare të ekzekutivit. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vlerësohet me notën 4 për sa i përket botimit të udhëzimeve në Fletoren Zyrtare, duke publikuar vetëm 3 nga 41 udhëzime të nxjerra gjatë vitit të shkuar. Ndërkohë, edhe shpallja dhe botimi në afat i vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë rezulton me probleme në kuadër të këtij monitorimi. Të dhënat e këtij monitorimi të përgatitur nga Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, financuar nga NED, me qendër në Uashington D.C., u bënë dje publike. Ky raport periodik ka përfshirë për herë të parë në fokusin e monitorimit të gjithë spektrin e institucioneve qendrore të shtetit shqiptar, për sa i takon botimit të akteve të tyre në Fletoren Zyrtare. Përmes tij, synohet të ofrohet një panoramë e plotë e situatës së botimit të akteve për institucionet përbërëse të të triave pushteteve kushtetuese në vend: Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit.

Legjislativi

Parlamenti është pushteti i vetëm në vend i cili gjatë vitit të shkuar ka botuar në Fletoren Zyrtare të gjitha ligjet që ka miratuar, duke u bërë kështu një institucion transparent për sa i përket botimit në Fletore Zyrtare.

Sipas raportit monitorues, në Fletore Zyrtare, nga periudha 1 janar deri në 31 dhjetor të vitit 2009, nga ana e Parlamentit janë botuar gjithsej 157 ligje, numër i njëjtë ky me ligjet e miratuara. Sipas ligjeve në fuqi, në ushtrim të pushtetit të tij ligjvënës, Kuvendi nxjerr disa lloje aktesh, mes të cilave ligje, vendime, rezoluta dhe deklarata. Nga të gjitha llojet e akteve që nxjerr Kuvendi, në fokus të këtij monitorimi kanë qenë vetëm ligjet, të cilat qëndrojnë në majën e hierarkisë së dokumenteve parlamentare. Në raport theksohet se ligjet janë qëllimi parësor dhe produkti përfundimtar i procesit ligjvënës. Kushtetuta e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të posaçme procesit ligjvënës, ku një moment kyç është edhe mënyra e hyrjes në fuqi të ligjeve. Në pjesën e tretë të Kushtetutës, kreu IV, nenin 84/3 thuhet se: “ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.

Ekzekutivi

Këshilli i Ministrave si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv, paraqitet si relativisht transparent për sa i përket botimit në Fletoren Zyrtare të vendimeve dhe udhëzimeve që ai merr. Kështu, sipas raportit monitorues, KM-ja ka miratuar të paktën 1305 vendimeve gjatë vitit 2009 dhe nga  verifikimet e hartueseve të raportit dilet në konkluzionin se 95 prej tyre nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare. Po kështu, në kundërshtim me ligjin e publikimit, nga ana e Këshillit të Ministrave janë botuar në Fletoren Zyrtare Ekstra me rreth një vit vonesë, plot 138 vendime. Po kështu sipas raportit, gjatë vitit 2009, KM-ja ka miratuar edhe 10 akte normative me fuqinë e ligjit, të cilat gjenden të gjitha botuara në Fletore Zyrtare 2009. Por probleme të mëdha sipas raportit të transparencës së botimeve, janë vërejtur për sa i përket publikimit të udhëzimeve. “Janë konstatuar parregullsi serioze sa i takon botimit në Fletore Zyrtare të udhëzimeve. Këto të fundit janë aktet më të rëndësishme që nxjerrin titullarët e dikastereve”, theksohet në raport. Sipas tij, më problematike paraqitet situata me botimin e udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në vitin 2009, kjo ministri ka publikuar vetëm 3 nga 41 udhëzime. Sipas ligjeve në fuqi, udhëzimi është akti juridik që nxirret në bazë e për zbatim të ligjeve. Ai është një akt me karakter normativ që detajon, sugjeron dhe këshillon, nëpërmjet

orientimeve të shtjelluara e të zbërthyera me hollësi, të gjitha urdhërimet që ka vendosur ligji. E drejta për të nxjerrë udhëzim i përket vetëm organit që i është njohur shprehimisht një e drejtë e tillë.

Gjyqësori

Nga monitorimi i ÇIP rezultoi se në Fletoren Zyrtare 2009 janë botuar të gjitha vendimet unifikuese të GJykatës së Lartë, rreth 8 gjithsej, por u konstatua se botimi i tyre është bërë me vonesë, përtej afateve kohore që përcakton ligji. Në raportin monitorues të publikuar dje, mesatarja e  përafërt e vonesës për vitin 2009 është 4.2 muaj. Po kështu për sa i takon periudhës 2006-2008, u identifikua si i pabotuar në Fletore Zyrtare një vendimi unifikues i vitit 2007, ndërsa  lidhur me afatet e botimit, rezulton se ato nuk janë respektuar edhe gjatë periudhës 2006-2008.  Po kështu, në kuadër të Raportit të Transparencës së Botimeve Zyrtare, 2009, ÇIP monitoroi edhe rregullsinë e botimit në Fletoren Zyrtare të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të RSH, e cila ka një juridiksion të veçantë për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera normative. Sipas raportit, gjatë vitit 2009 nuk rezultoi asnjë vendim i kësaj gjykate i pabotuar në Fletoren Zyrtare. Po ashtu, nuk rezultuan vendime të pabotuara edhe për periudhën trevjeçare 2006-2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›