Dosja prokuroria zbardh kater pergjimet per avokatin Hysni Beti
Zbardhen bisedat e përgjuara nga prokuroria për avokatin Hysni Beti. Në dosjen për gjykim, prokuroria ka veçuar pjesët më “pikante” të bisedave, ku pretendohen pazaret e Hysni Betit me një klient, kur ky i fundit ishte arrestuar nga policia për kundërshtim me dhunë të uniformave blu. Bëhet fjalë për Erkens Zenelin, i cili kërkoi ndihmën e policisë, pasi sipas tij, avokati Hysni Beti i kishte kërkuar 500 mijë lekë të reja, me qëllim për të ndërhyrë te prokurori dhe gjyqtarja, që të lirohet dhe t’i pushohet çështja. Sipas pretendimit, ai kishte marrë përsipër të pushonte çështjen ndaj Zenelit.
Përgjimi INga procesverbali për veprimet e përgjimit ambiental, i datës 1 tetor, rezulton se është zhvilluar një bisedë nga ora 13:20 deri në orën 14:00. Nga transkriptimi i bisedës rezulton se takimi është zhvilluar mes Betit, Erkens Zenelit dhe së dashurës së tij, Elona Parllaku. Nga biseda e zhvilluar, ndër të tjera, Beti i ankohet dy bashkëbiseduesve se nuk mund t’i dilte përpara vajzës, duke iu referuar gjyqtares së seancës së masës së sigurimit. Kjo për faktin se, sipas tij, në këtë mënyrë do të përgojohej. Edhe pasi bashkëbiseduesit i konfirmojnë se i kanë sjellë të hollat, përsëri Hysni Beti deklaron se nuk mund të hynte dot në gjykatë, se nuk donte të dilnin fjalë. Sa i përket hetimeve paraprake, Hysni Beti, në bisedë e sipër, pyet kallëzuesin dhe Elona Parllakun, nëse donin të shkonin në gjyq apo çështja në ngarkim të tyre të pushohej. Në vijim, i pandehuri pranon se shuma për të cilën kishte folur që në fillim do të mbulonte 100% të punës. Në këtë moment të bisedës ndërhyn Elona Parllaku, e cila i përgjigjet se nuk e kishte idenë, pasi mendonte se në mes ishte vetëm gjyqtarja e masës së sigurimit. Në vazhdim, i pandehuri konfirmon njohjen që kishte me prokurorin e çështjes, pasi ky i fundit ishte djali i një miku të tij. Për këtë arsye, sipas tij, nëse do ishte kontaktuar më parë, edhe prokuroria nuk do të kishte kërkuar masën e sigurimit “arrest me burg”, pasi këtë punë do ta rregullonte ai. I pandehuri, pasi merr shumën prej 150 mijë lekësh të reja, i falënderon bashkëbiseduesit, duke i thënë se i kishin hequr një barrë shumë të rëndë nga kurrizi. Në një moment të bisedës, i pandehuri i tregon kallëzuesit Zeneli se kishte pasur fat për shkak se po të bëhej masa atë ditë, nuk do të kishte pasur mundësi të takonte gjyqtaren dhe fati i tij që seanca e masës ishte lënë për të nesërmen.
Përgjimi IINë bisedën e zhvilluar më 6 tetor 2010, nga ora 14:30 deri në orën 15:30, mes Erkens Zenelit, Hysni Betit dhe Elona Parllakut, dokumentuar në procesverbalin e transkriptit, rezulton se i pandehuri deklaron që ka bllokuar ankimin që organi i akuzës do të bëjë në Gjykatën e Apelit, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurimit të vendosur ndaj Erkens Zenelit. Duke i sqaruar bashkëbiseduesit se deri më tani e kishte bllokuar ai bërjen e ankimit, i pandehuri deklaron se kjo bëhej që ata të mos i linin paratë rrugëve. Përsëri, Beti merr përsipër se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në lidhje me masën e sigurimit, nuk do të kthehej, pasi nëse do të ndodhte ndryshe, kallëzuesi do të përfundonte në burg. Edhe gjatë kësaj bisede, kur i kërkon përsëri të holla kallëzuesit dhe kur ky i fundit i thotë që nuk është akoma gati, i pandehuri ripohon se tani ishte më i qetë. Kjo pasi para se të merrte shumën prej 150.000 lekësh të reja, nuk shkonte dot në gjykatë. Ky kishte qenë dhe shqetësimi i tij kryesor, kur është shprehur se “nuk shkoja dot në gjykatë. Atë e kam realizuar, tani do presim kafen nga juve, për të organizuar gjithçka”. Gjatë kësaj bisede, i pandehuri i thotë kallëzuesit se të nesërmen në prokurori donte të takonte shefin e madh, pasi ky ishte më praktik dhe se me të dinte ai si të komunikonte.
Përgjimi IIINga procesverbali për transkriptimin e bisedave ambientale të datës 13 tetor 2010, nga biseda e zhvilluar mes shtetasve Hysni Beti, Erkens Zeneli e Elona Parllaku, nga ora 09:30 deri në orën 10:00 të po kësaj date, rezulton se i pandehuri i informon bashkëbiseduesit se në lidhje me masën e sigurimit të vendosur nga Shkalla e Parë kishin filluar reagimet.
Përgjimi IVNga procesverbali i datës 20 tetor 2010 rezulton se Zeneli interesohet nëse procedimi penal po vazhdon për shkak se nuk është “çuar kafja” siç shprehet ai. I pandehuri e sqaron se për atë po mbahet, sepse për të bërë gjëra të këqija, siç shprehet ai, “është kollaj, puna është për të bërë gjëra të mira”. Pyetjes se nëse pushimin e çështjes e bënin “ata që e kanë takuar”, duke iu referuar prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore, i pandehur i përgjigjet se e duan edhe ata një kafe, duke thënë shprehimisht: “Këto kujtojnë se i shmangem unë”. Gjithashtu, i pandehuri sqaron se ka punuar për trembëdhjetë vjet në prokurori dhe se e di si janë gjërat. Kur kallëzimtari e pyet nëse do të mbeten të kënaqur me atë sasi të hollash, Hysni Beti i përgjigjet pozitivisht, duke shtuar se ato ishin detyrime absolute që mbyllin gjithçka, pasi ai e dinte mënyrën e të vepruarit dhe të shpenzuarit. Në lidhje me shumën e kërkuar prej 500 mijë lekësh të reja, Hysni Beti sqaron se ajo është një shumë e pranueshme dhe e logjikshme për atë akuzë, pasi nga e gjithë shuma që ka kërkuar për çështjen e tij, në fund do të merrte për vete vetëm 50 mijë lekë, pasi pjesa tjetër do t’i shkonte gjyqtarit të masës, prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore. Pas numërimit të shumës që kallëzuesi i dorëzon Hysni Betit, ky i fundit i thotë që pas kësaj shume mbetet vetëm kafja e tij. I pyetur nëse e gjithë kjo shumë e dorëzuar deri tani, pra 350 mijë lekë të reja do të shkonte te gjyqtari dhe prokurori i çështjes, Beti përgjigjet “po një miliard për qind, një miliard për qind, t’i heq qafe ata që të rrimë unë e ti pa merak, pa çarë b...”. Në momentin e dorëzimit të shumës prej 200 mijë lekësh, oficerët e policisë gjyqësore pranë policisë kryeqytetase, kanë ndërhyrë në kushtet e flagrancës, duke kryer kapjen e Hysni Betit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.