E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos, ndërtimorja prish kioskën e Partisë Socialiste

Prishet kioska ku mblidheshin anëtarët e Partisë Socialiste të Patosit. 

PATOS/ MAJLINDA RAMA

Aksioni i Policisë Ndërtimore është shoqëruar me debate të ashpra nga përfaqësuesit socialistë, sipas të cilëve nuk mund të ndërhyhej në bazën e një prej forcave më të mëdha politike në vend. Ndërkohë që ndërtimorët e kanë cilësuar veprimin e tyre vazhdim të aksionit për prishjen e objekteve pa leje dhe atyre që kanë zënë hapësirat publike. Përfaqësues të selisë rozë në qytetin e Patosit, sapo kanë parë  fadromën kanë reaguar kundër prishjes, e cila sipas tyre është krejtësisht e padrejtë dhe jashtë çdo norme dhe ligji në fuqi. "Jemi krejtësisht të habitur me një veprim të tillë, antiligjor dhe abuziv, i cili po ndërmerret nga forcat e Policisë Bashkiake. Të gjithë në qytetin e Patosit e dinë, që këtu ndodhet selia e PS-së dhe se një institucion partiak nuk mund të prishet pa lajmëruar më parë. Prej kohësh kemi pasur debate në lidhje me këtë kioskë", deklaroi i irrituar një prej anëtarëve të PS-së në qytetin e Patosit. Kundërshtimi i tyre bazohet në pretendimin për procedura të parregullta ligjore të këtij ekzekutimi dhe në një vendim të hershëm të Këshillit të Ministrave që e lejonte Partinë Socialiste në këtë rreth të administronte territorin përreth godinës në fjalë. Nga ana e saj, Bashkia Patos, nëpërmjet kreut të Policisë Ndërtimore Mit'hat Seriani e argumenton aksionin me faktin se po zbaton ligjin. "Pretendimi për vendimin e Këshillit të Ministrave bie, pasi ai është marrë vite më parë dhe nuk mund të shërbejë më. Është e padrejtë të diskutojmë për një vendim, i cili ka shumë kohë që e ka humbur aktualitetin. Kjo ndërtesë ka shkatërruar hapësirën publike duke bllokuar një sipërfaqe të konsiderueshme të saj dhe duke mos lejuar në këtë mënyrë investimet e bashkisë së qytetit në infrastrukturën e zonës. Lajmërimi është bërë në kohën e përcaktuar nga ligji dhe drejtuesit e PS-së kanë pasur në dispozicion të gjithë kohën e mundshme për t'u larguar nga kioska". Sipas Serianit, ushtrimi i veprimtarisë së kësaj force politike në këtë godinë nuk do të vijojë, pasi vetë kioska nuk ka asnjë dokument ligjor, që të vërtetojë se është ndërtesë me leje. Pas aksionit, të dy palët kanë deklaruar se do t'i drejtohen gjykatës. Drejtuesit e PS-së ndaj bashkisë për vendim të paargumentuar ligjërisht dhe bashkia për kundërshtimin që u është bërë punonjësve të saj në krye të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›