Bllokimi i rrugëve, linja e kuqe që s’do tolerohet

Ministri Lulzim Basha shpalli dje vijën e sjelljes të autoriteteve policore, të cilat s’do tolerojnë asnjë frymëzues të akteve të bllokimit të rrugëve, qoftë ai pushtetar vendor apo njeri me imunitet politik
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë një takimi të zhvilluar me krerët më të lartë të policisë në Vlorë, ka diskutuar lidhur me problemin e infrastrukturës së rrugëve. Ministri i Brendshëm, kërkoi nga forcat e rendit që të mos lejojnë me asnjë kusht bllokimin e rrugëve kryesore, të cilat kohët e fundit janë kthyer në simbol proteste të disa krahinave në vend. Ministri i Brendshëm udhëzoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e strukturave policore të Vlorës për bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të marrë të gjitha masat për parandalimin e bllokimit të paligjshëm të rrugëve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës që kryejnë një veprimtari të tillë. Apeli i ministrit Basha është për ndëshkim të rreptë ndaj një veprimi të tepruar kriminal si dhe mos anashkalimin e përgjegjësive ligjore edhe për personat me profil të lartë shoqëror dhe politik. “Kushdo që guxon të instrumentalizojë ngjarje kriminale dhe t’i përdorë ato për të justifikuar një veprimtari thellësisht antiligjore siç është bllokimi i rrugëve do të marrë përgjigje të merituar, të menjëhershme dhe me fuqinë e plotë të ligjit. Sikundër strukturat antiterror ta trajtojnë këtë çështje me prioritet si dhe të godasin pa pikë hezitimi për të parandaluar, apo në rastet kur ka ndodhur për të vendosur para drejtësisë personat përgjegjës duke përfshirë këtu edhe personat frymëzues pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike”- u shpreh ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Basha kërkoi ashpërsinë e ligjit ndaj të gjitha akteve, siç i theksoi ministri, kriminale, dhe të dënohen maksimalisht. “Ju duhet të merrni të gjitha masat që në çdo rast të ndërhyhet me forcën e ligjit dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë bllokim rruge publike. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë person i cili merr pjesë, apo tenton të marrë pjesë në një veprimtari të tillë. Të vendoset një bashkëpunim sa më i ngushtë me prokuroritë e rretheve në mënyrë që çdo person i referuar nga ju të ndiqet penalisht deri në vendosjen e tij para drejtësisë dhe marrjen e dënimit që meriton. Policia e Shtetit ka të gjitha mjetet, ka të gjithë përvojën dhe duhet të ketë të gjithë vendosmërinë për të zhbllokuar çdo situatë të tillë”- deklaroi Basha. Sipas ministrit, një pjesë e akseve kombëtare kanë ngarkesë shumë të madhe. Lidhur me këtë fakt, ministri i Brendshëm i kujtoi forcave të rendit në mënyrë të plotë, shpërndarjen e problematikës sipas situatës në terren. “Kemi pjesë të akseve rrugore të cilat kanë një ngarkesë shumë të madhe. Asnjë pjesë e intenirarit të aksit rrugor të Qarkut të Vlorës nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes”- tha më tej, ministri Basha.
...