E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Dick Marty është njeri pa asnjë kredibilitet moral

Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 18:59

(E plotësuar) Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet në deklarate për media i është kundërpërgjigjur një artikulli të së përditshmes “ The Guardian” i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Qeveria e Kosovës thekson faktin se sikurse qytetarët e Kosovës, as opinioni i gjerë ndërkombëtar, nuk do të bien pre e shpifjeve qëllimkëqija të kundërshtarëve të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që matrapazët e porositur të njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme në të përditshmen “The Guardian” është publikuar një artikull i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty, i cili është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj.

Qeveria e Kosovës thotë se pretendimet e botuara në “The Guardian” janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për më tepër, thuhet se është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të paraqiten si opinione të vet institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar.

“Është e qartë se dikush dëshiron të pengoj kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Qeveria.

Më tutje, theksohet se veprimet e tilla të ulëta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dick Marty që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë”.

Por, publikimi i qëndrimeve të tilla paragjykuese dhe denoncuese, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, nuk përkon me etikën profesionale që do të duhej ta kishte gazeta “The Guardian”.

Bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dick Martyt, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike.

“As qytetarët e Republikës së Kosovës dhe as opinioni i gjerë ndërkombëtar, nuk do të bien pre e shpifjeve qëllimkëqija të kundërshtarëve të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që matrapazët e porositur të njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë”.

Ndër të tjera, Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës.

Marty akuzon Thaçin

Dick Marty ka shfrytëzuar kryesimin e Këshillit të Europës nga Serbia për të përgatitur një tjetër raport linçues për Kosovën.

Është, megjithatë, gazeta britanike The Guardian, që në ballinën e saj, ka cituar pjesë të raportit të Dick Marty që ngritë edhe njëherë çështjen e Shtëpisë së Verdhë, dhe gjoja trafikimin e organeve të serbëve.

“Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptarësh "në formë mafie" përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Europën lindore. Hashim Thaçi është identifikuar si "bosi" i një rrjeti që ka filluar të vejë në veprim reketet e tij kriminale në prag të luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe i cili ka ruajtur ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë”.

Raporti i këtij hetimi dy-vjeçar, i cili citon burime të tjera të FBI’së dhe të inteligjencës, është marrë nga "The Guardian". Ai përmend që Thaçi të ketë ushtruar "kontroll të dhunshëm" mbi tregtinë e heroinës gjatë dekadës së fundit.

Në shkrimin e The Guardian thuhet se figura të rrethit të ngushtë të Thaçit janë akuzuar se kanë marrë pjesë në kidnapimet dhe vrasjet pas luftës, veçmas të serbëve të vrarë, organet e të cilëve janë shitur në tregun e zi.

Dick Marty, një hulumtues për të drejtat e njeriut pritet ta prezantoi raportin e tij të enjten para 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës gjatë një takimit në Paris.

Raporti flet për lidhjet e Hashim Thaçit me krimin e organizuar përgjatë një dekade, kur grupi i tij lojal nga Drenica u bë faktori dominant, për të vazhduar se grupi më pastaj morri shtrirje të madhe duke kontrolluar gjithçka.

Në raport thuhet “raportet sekrete përgjatë një dekade e konfirmojnë lidhjen e Thaçit me drogën në pothuajse pesë vende. Në raportet e agjencive të huaja po ashtu thuhet se njerëzit e grupit të Drenicës janë lojtarët kryesorë.

Marty kishte udhëhequr më herët delegacionin e KE’së që erdhi për të hetuar pretendimet për trafikim organesh të serbëve në "Shtëpinë e Verdhë" nga ana e UÇK-së, që nuk u vërtetua asnjëherë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›