Qeveria: Do përmbushim çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshja me NATO-n

Pa Aleancën e Atlantikut të Veriut, Libia nuk do ishte e “popullit të vet”
“Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje si anëtari më i ri i NATO-s për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe obligimet e saj kundrejt kësaj Aleance”. Kështu deklaroi sot kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij përshëndetëse në Asamblenë e Aleancës së Atlantikut që po zhvillon punimet në Tiranë. Kreu i qeverisë, Berisha tha se për Shqipërinë pas Pavarësisë, antarësimi në NATO është moment më i madh historik ndërsa shtoi se me anëtarësimin në Aleancë për vendin tonë nisi një epoke e re për të ndërtuar në liri të plotë të ardhmen e tij. “Ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me NATO-n dhe do të jemi kapitulli i ATA-s dhe organizimit të saj pasi tani ajo ka një rol më të madh se më parë”- ka theksuar Berisha, ndërsa shtoi se pa vendosmërinë e NATO-s, Libia do të ishte krejt tjetër dhe jo “Libia e popullit të vet”. Berisha ka falënderuar jo vetëm për besimin treguar ndaj Shqipërisë, por edhe për ndihmën e dhënë në rast nevoje, duke iu referuar përmbytjeve të njëpasnjëshme në zonën e Shkodrës vitin e kaluar. “Falenderoj vendet tuaja për ndihmën që dhatë gjatë përmbytjeve në veri të Shqipërisë. NATO iu përgjigj kërkesës sonë por unë dua t’ju siguroj ju se forca jonë ushtarake ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Qyteti më i madh i veriut u përmbyt por falë ndërhyrjes energjike të ushtrisë si dhe autoriteteve lokale falë edhe ndihmës së shpejtë që morëm nga vendet mike nuk patëm humbje jete”- ka theksuar Berisha, ndërsa shtoi se një vëmendje më e madhe do t’i kushtohet trajnimit të ushtrisë sonë për të përballuar të tilla katastrofa.