Qeveria: Nga sot 24 ditë afat për fshirjen e varrezave të makinave
TIRANE- Duke filluar nga dita e sotme, pronarët e "varrezave" të makinave kanë vetëm 24 ditë afat për të larguar - me shpenzimet e tyre - jo më pak se një km nga rrugët kryesore makinat e prishura, por edhe pjesët e këmbimit të grumbulluara. Qeveria ka vendosur nëpërmjet një Akti Normativ, që ka fuqinë e ligjit, por duhet të miratohet nga Kuvendi më pas, që të tilla biznese nuk mund të vendsen kudo, por vetëm në vende të tjera të autorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim, konkretisht nga institucionet e Mjedisit. Inspektorati i Mjedisit, kur konstaton shkeljen e afatit të sipërpërmendur për heqjen e "varre-zave", do të kryejë konfiskimin e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen në këto vendgrumbullime. Kundër vendimit, pronarët ose poseduesit e këtyre mjeteve, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e vendimit, mund të kryejnë ankim, sërish pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, e cila duhet të shprehet brenda 5 ditëve pasardhëse. Qeveria ka ngarkuar ministrinë e Mbrojtjes për kryerjen e transportit të mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe pjesëve të tyre të këmbimit të konfiskuara dhe të procedurave të shitjes së tyre. Efektet financiare të transportit dhe shitjes do të përballohet nga të ardhruat e realizuara nga shitja e këtyre mjeteve. Ky veprim u paralajmërua nga kryeministri në mbledhjen e rradhës të qeverisë, gjashtë ditë më parë.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)