Ministria e Brendshme: 4.6 milionë certifikata u kërkuan nga pushteti vendor
Ministria e Brendshme hedh poshtë spekulimet mediatike, të cilat akuzojnë këtë ministri për blerje të certifikatave në funksion të zgjedhjeve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të zëdhënësit Fatmir Konja mësohet se Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se procesi i prokurimit të certifikatave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është një proces normal si të gjitha prokurimet që kryhen në fillim të vitit.
Duke renditur disa shërbime të domosdoshme që e bëjnë të detyrueshme prokurimin e një numri të caktuar certifikatash, zëdhënësi Konja ka përmendur këtu se fëmijët e porsalindur do të duhet të pajisen me certifikatën e lindjes, çiftet e reja që martohen do të duhet të marrin certifikatën e martesës, për personat që ndërrojnë jetë familjarët e tyre duhet të pajisen me certifikatën e vdekjes, qytetarët në zgjidhje të konflikteve gjyqësore apo regjistrimet e pronësisë kanë nevojë për certifikatën e trungut familjar. Kështu për shkak të përdorimit tashmë të letërnjoftimeve elektronike numri i certifikatave të prokuruara është 4,6 milion krahasuar me 8 milion të prokuruara vitin e kaluar. Theksojmë se numri i certifikatave për prokurim është përcaktuar mbi kërkesat e paraqitura nga çdo bashki dhe komunë e vendit, theksohet në deklaratën për shtyp.