Torreblanka: Mos nxitoni me aplikimin ne BE
Pas zyrtarëve të Bashkimit Europian, që i kanë bërë apel Shqipërisë të tregohet e duruar me aplikimin për statusin e vendit kandidat, edhe ekspertët kërkojnë maturi dhe jo nxitim në këtë pikë. Hose Ignacio Torreblanka, Drejtor i Zyrës Spanjolle të Këshillit Europian për marrëdhëniet ndërkombëtare, shpjegon se aplikimi i përdorur si mjet psikologjik mund të kthehet në konsumim për qeverinë shqiptare.
"Koha e aplikimit nuk është shumë e rëndësishme. Mendoj që aplikimi është i rëndësishëm për arsye psikologjike, në qoftë se ju arrini ta ktheni atë në një stimul më shumë për reforma. Por, këtë mund ta përdorni vetëm një herë. Në qoftë se e konsumoni dhe nuk arrini ta ktheni në një stimul pozitiv, atëherë nuk do të mund ta përdorni prape dhe për më tepër, kjo mund të sjellë mërzitje, sidomos në qoftë se i bëni njerëzit të besojnë se vetëm me aplikimin keni ecur përpara. Kjo nuk është e thënë të jetë e vërtetë", u shpreh Torreblanka. Ndryshe nga qeveria e vendit te tij, eksperti i politikes ndërkombëtare, është pro pavarësisë se Kosovës. Ne lidhje me këtë, ai u shpreh se "kemi pozicione të ndryshme, jetojmë në një shoqëri të mendimit dhe fjalës së lirë, me një pushtet mediatik të lirë. Mendoj se ndryshimi qëndron se unë preferoj të ndjek më shumë politikën ndërkombëtare, të mos e shoh atë të përqendruar në nivel nacional, e kam këtë luks, sepse unë nuk kam përgjegjësi të tilla. Së fundmi kemi parë që pavarësia e Kosovës nga perspektiva europiane ishte e paevitueshme. Zoti Torreblanka ishte i ftuar ne Tirane nga Instituti shqiptar i Medias për një debat mbi marrëdhëniet trans-atlantike.