E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria, OK legalizimit në zonat turistike

TIRANE-Qeveria hap përfundimisht rrugën për legalizimin e vilave e hoteleve të ngritura në zona me përparësi turistike, të cilat deri pak kohë më parë nuk lejoheshin të legalizoheshin. Me një vendim të djeshëm të tij, Këshilli i Ministrave përcaktoi rregullat se si do të bashkëveprojnë për këtë qëllim ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave për kalimin e pronësisë, kur trualli rezulton në pronësi të shtetit.

Me këtë VKM plotësohet kuadri ligjor për kalimin në pronësi të privatëve të një numri të madh vilash e hotelesh, të ndërtuara në Golem, Malin e Robit, etj, për të cilat nuk mund të vepronte më parë ligji i legalizimeve, pasi ai përjashton kalimin e pronësisë në zonat bregdetare dhe ato me përparësi turizmin. Objektet e sipërpërmendura, në fakt, janë ndërtuar në kuadër të fshatrave turistikë, por në kundërshtim me lejen fillestare, objektet janë shitur si shtëpi banimi (pushimi).

VKM ngarkon me përgjegjësi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për zbatimin e tij. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›