E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi,burgjet, me pajisje kundër celularëve

TIRANE- Qeveria vendosi dje të vërë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, fondin prej 30 milionë lekësh për blerjen dhe montimin e pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në bazë të këtij vendimi është përcaktuar ngritja e një Komisioni që do të realizojë procesin e organizimit të tenderit. Në përbërje të tij do të jenë një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, e Brendshme, Ministria për Teknologjinë e Informacionit, një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit si dhe një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ky komision do të jetë përgjegjës “për përcaktimin e standardeve të pajisjes për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme; përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t’u dërgohet ftesa për ofertë; përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik; përgatitjen e ftesës për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse të operatorëve ekonomikë”. Sipas vendimit të qeverisë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda pesë ditëve nga data e shpalljes së fituesit nga ministri i Drejtësisë, do të njoftojë operatorët ekonomikë për klasifikimin përfundimtar të ofertave.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›