Biznesmeni Çela jo i arrestuar, pallati nr.31 me leje dhe siguri
TIRANE – Biznesmeni i ndërtimit Pëllumb Çela i kontaktuar dje nga gazeta “Panorama”, mohoi njoftimet për ndalimin e tij në polici. Sipërmarrësi sqaroi se ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “garanci pasurore” në shumën 250 mijë lekë të vjetra pas pretendimeve për falsifikimin e kolaudimit të një prej pallateve të ndërtuara prej tij në Tiranë. Sipas ndërtuesit, ai nuk ka qenë për asnjë moment i ndaluar apo i shoqëruar në polici, por pasi ka mësuar vendimin e Gjykatës së Tiranës e ka zbatuar atë pa asnjë lloj mase policore, e cila nuk ka qenë e nevojshme të ndërmerret në këtë rast. Biznesmeni Çela konfirmoi se pallati nr. 31 në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, një objekt banimi 12-katësh, ka të gjitha garancitë teknike dhe kushtet e nevojshme për shfrytëzim, pavarësisht pretendimeve që janë ngritur për kolaudimin. Nga verifikimi në terren konfirmohet se pallati në fjalë është i pajisur me të gjitha mjetet e lëvizjes, si ashensorët, ndërsa është i shfrytëzueshëm nga individët dhe bizneset. Duke hedhur poshtë informacionin e dhënë nga punonjës të policisë, se leja ishte marrë për disa kate, biznesmeni, por edhe burimet zyrtare thanë se pallati ka leje ndërtimi për gjithë sipërfaqen e tij prej 12 katesh. “I gjithë dokumentacioni sa i përket lejes së ndërtimit dhe gjithë aspekteve të tjera është konform rregullave ligjore në fuqi”, thanë burimet. Sipas tyre, pretendimet për kolaudimin e pallatit po hetohen nga Prokuroria, edhe pse vetë akti është i rregullt, pasi është firmosur nga specialisti përkatës. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurimit, kallëzimi penal që u bë shkak për nisjen e hetimeve është bërë nga shtetasi Artan Avllaj. Prokuroria e Tiranës, e cila po heton këtë procedim penal, ka marrë në shqyrtim dokumentacionin e pallatit në fjalë duke verifikuar kolaudimin, ndërsa të gjitha dokumentet për sigurinë teknike dhe lejen e ndërtimit në gjithë sipërfaqen e objektit janë tërësisht të rregullta. Pallati në fjalë ka leje ndërtimi për 12 katet përbërëse të tij, të cilat janë të certifikuara në aspektin e sigurimit teknik dhe kushteve të tjera që vendosen me ligj. Dy ditë më parë policia e Tiranës me një deklaratë shtypi tha se ishin zbatuar vendimet e gjykatës për masat e sigurisë ndaj Pëllumb Çelës dhe inxhinierit Leonard Gjergji për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. re.kr