Skandal me 40 hektarë tokë në Jalë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Vlorës zbuloi një tjetër skandal me tokat në bregdetin jugor të vendit duke arrestuar një 41-vjeçar që ka përfituar në mënyrë të paligjshme 40 hektarë në zonën e Jalës. Anastas Gjoka, 41 vjeç u arrestua dje nga policia lokale e Vlorës në zbatim të një urdhër-arresti të firmosur nga prokuroria e këtij qyteti. Sipas burimeve nga organi i akuzës, personi i arrestuar akuzohet se ka falsifikuar dokumentet zyrtare të shtetit me qëllim përfitimin e paligjshëm të pronës në bregdet. Të njëjtat burime thanë se skandali është zbuluar pas sinjaleve të marra nga Prokuroria, e cila menjëherë filloi hetimet për ngjarjen, duke zbuluar se e gjithë praktika e marrjes së tokës në pronësi nga 41-vjeçari ka qenë e bazuar mbi dokumente të falsifikuara.
Mashtrimi me 40 hektarët
Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se 41-vjeçari Anastas Gjoka ka arritur të përfitojë sipërfaqen e tokës në Jalë në formën e “kthimit dhe kompensimit” përmes falsifikimit të vjetra të pronësisë. “Ky person, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e origjinës së pronës, të cilat i ka paraqitur në gjykatë si prova për padinë e ngritur në kërkim të pronës. Gjykata i ka marrë të mirëqena dokumentet pa bërë “vërtetimin e faktit” dhe pa kryer ekspertimin e nevojshëm në këtë rast. Më pas i arrestuari ka marrë dokumentet false si dhe vendimin e gjykatës dhe të gjitha këto i ka paraqitur në një dosje të veçantë në Zyrën e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke pretenduar se kishte qenë pronar. Ajo çfarë ka ndodhur më tej është se 41-vjeçari ka përfituar kthimin dhe kompensimin e pronës me truall në bregdet, në zonën e Jalës. Në këtë mënyrë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i ka hënë 40 hektarët të dyshuarit Anastas Gjoka duke lëshuar edhe dokumentet përkatëse.
Hetimi
Prokuroria është vënë në dijeni të skandalit dhe menjëherë ka nisur hetimet. Verifikimet e para janë kryer në dokumentet e vjetra të pronësisë, ku ka rezultuar se i arrestuari nuk ka qenë pronar i tokës së pretenduar. Rrjedhimisht, sipas hetuesve dhe sipas ligjit, 41-vjeçarit nuk i takonte kthimi dhe kompensimi i pronës në formën që është bërë nga Agjencia e Pronave. Kjo e fundit duket se është bazuar në vendimin e dhënë më parë nga gjykata. Togat e zeza bazuar në dokumente false dhe të paverifikuara, kishin certifikuar të drejtën e kompensimit për 41-vjeçarin.
Abuzimi me tokat, zyrtarët e hipotekës hetim në liri
VLORE – Prokuroria e Vlorës urdhëroi pak ditë më parë arrestimin e ish-drejtorit të Hipotekës së këtij qyteti Edmond Banushi me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim dokumentesh”. Arrestimi i tij u bë për shkak të abuzimeve me një truall prej 800 metër/katrorë në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas prokurorisë mësohet se ish-drejtori i Hipotekës kishte abuzuar me regjistrimin e kësaj prone, duke bashkëpunuar edhe me një jurist të Hipotekës, ish-vartës të tij, i cili edhe ai u arrestua bashkë me një biznesmen që po shfrytëzonte truallin e tokës në fjalë. Dy ditë pas arrestimit të zyrtarëve Gjykata e Vlorës e konsideroi kapjen e tyre të paligjshme nga policia dhe vendosi t’i hetojë zyrtarët në arrest shtëpie, duke i liruar në këtë mënyrë nga qelitë e paraburgimit. Në të njëjtën ditë, Prokuroria e Vlorës arrestoi kryeplakun e komunës Vuno, pasi edhe ai akuzohej për shpërdorim detyre me sipërfaqe të mëdha toke në këtë njësi vendore. Burime nga organi i akuzës në Vlorë kanë pohuar se janë duke hetuar edhe raste të tjera abuzimi me pronat në qytetin e Vlorës.