E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e vëllait, 17-vjeçarja tenton vetëhelmimin në Korçë

 

KORÇE - Një vajzë 17-vjeçare tentoi t’i japë fund jetës dje duke konsumuar medikamente mjekësore mbi masën e lejuar. Policia e Korçës tha se menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, vajza është dërguar në Urgjencën e Spitalit të Korçës, ku i është dhënë ndihmë mjekësore e kualifikuar, çka e ka nga vdekja 17-vjeçaren. Sipas policisë, dje gjendja shëndetësore e vajzës ishte e rënduar, por ishte jashtë rrezikut për jetën. Burimet nga forcat e rendit thanë se vajza me inicialet B. S., nxënëse në klasën e tretë të shkollës së mesme të përgjithshme dhe banore e lagjes numër 10, ka mbërritur në Urgjencën e Qendrës Spitalore Korçë në orën 00.10 pas mesnatës së djeshme. Ajo ishte pa ndjenja dhe familjarët që e kishin çuar me urgjencë, kërkuan ndihmën e bluzave të bardha. Prindërit e 17-vjeçares kanë deklaruar se ishte helmuar me medikamente mjekësore që i kishte blerë në farmaci. Mjekët e urgjencës menjëherë kanë kryer lavazhe të njëpasnjëshme, duke shmangur thithjen e helmit të mbetur në stomak nga organizmi dhe kalimin e lëndës në gjak. Vetëm pas pesë orësh që mjekët luftuan me vdekjen vajza dha shenja jete. Menjëherë pas mbërritjes së vajzës në Urgjencën e Spitalit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe policia bashkë me një grup hetimi. Familjarët e vajzës kanë pohuar për uniformat blu se prej kohësh vajza kishte simptoma të depresionit. “I pëlqente të rrinte e heshtur, larg shoqeve të moshës së saj. Shenjat e këtij depresioni sipas prindërve i ishin shfaqur që kur ishte tetë vjet, mbasi në atë kohë, viti 2000, iu vra vëllai i saj i vetëm”, tha policia. Sipas saj, përgjatë gjithë këtyre viteve vajza e ka vuajtur humbjen e të vëllait, gjë që e shprehte vazhdimisht në bisedat me prindërit dhe të afërmit. Depresioni për shkak të humbjes së të vëllait është njëra nga pistat e hetimit për policinë, por burime të hetimit kanë pohuar se kanë edhe dy pista të tjera që nuk mund të bëhen publike. Sipas hetuesve, dosja penale për këtë ngjarje është hapur me akuzën e “shkaktimit te vetëvrasjes të mbetur në tentativë”.                                 j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›