E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet hoteli, plagosen kosovarët

 

DURRES/ OERD ULQINI

Vetëm një mrekulli ka shpëtuar nga tragjedia një grup prej 60 nxënësish kosovarë, të cilët po kryenin një ekskursion pesë ditor në plazhin e Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në hotelin “Elisio”, tek pishat e buta në Malin e Robit. Kanë qenë momente tmerri kur në orën 07 e 20 minuta, kohë kur shumë nxënës ishin akoma në gjumë, janë shembur muret dhe ballkoni. Grupi prej 60 nxënësish është evakuuar me urgjencë nga hoteli, duke gjetur vend të sigurtë në breg të detit. Për zbardhjen e ngjarjes kanë mbërritur në terren ekspertë zjarrfikës, të policisë së Durrësit, Tiranës, si dhe një grup hetimi special i njësisë së antiterrorit. Për motive ende të pazbardhura mirë është shembur një ballkon i katit të katërt, i cili është përplasur furishëm mbi murin e dhomës ku po flinin 6 nxënës. Shkurte Metushe 16 vjeçe dhe Sabah Fetahu 18 vjeç, që të dy nxënës të shkollës “Asllan Elezi” të Gjilanit janë plagosur më rëndë. Ballkoni i rënë nga lart ka shkatërruar plotësisht muret e dy dhomave të ndryshme të këtij hoteli. Pacientja 16-vjeçare Metushe i është nënshtruar një operacioni urgjent, pasi kishte pësuar frakturë në gjymtyrë, ndërsa Sabah Fetahu po trajtohet intensivisht në urgjencë. Ndonëse mekanizmi i ngjarjes mbetet ende mister, dyshohet se shpërthimi i një bolieri (nga presioni i avujve), ka provokuar shembjen e pjesshme të godinës. Katër nxënësit e tjerë, të plagosur më lehtë janë dërguar në spitalin e Kavajës. Urgjenca e Durrësit ka pritur dy prej të plagosurve më rëndë nga ngjarja e hotel “Elesio”-s. Vajza nga Kosova kishte pësuar një frakturë të rëndë në gjymtyrë (tek të dyja këmbët) dhe ishte e mbytur në gjak, ndaj bluzat e bardha të Durrësit morën vendimin e shpejtë për ta dërguar në operacion. “Ajo erdhi këtu në gjendje të rëndë. Në pak sekonda u informuam për çka ndodhi dhe i tërë reparti i urgjencës u mobilizua në maksimum për të përballuar situatën”, tha mjeku i shërbimit, Arjan Tivari. Pak minuta më pas një autoambulancë e dytë sjell në Durrës adoleshentin tjetër kosovar Sabah Fetahu. Edhe ai është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e mureve, por kishte humbur ndjenjat. Ai u trajtua me serume qetësuese dhe kuruese kundër mpiksjes së gjakut. Teksa dy pacientët në gjendje të rëndë po trajtoheshin intensivisht kundër traumave, në urgjencë prisnin me ankth mësuesi kujdestar Edison Sabedini, mjekja e grupit të nxënësve Venera Osmani, si dhe shoferi i autobusit që kishte sjellë 60 ekskursionistët nga Gjilani në Durrës. “Vajza ka frakturë dhe gërvishtje të thella në këmbë, të cilat i kanë sjellë hemorragji. Ka hyrë në sallën e operacionit rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe me të po merret tani ortopedi. Nuk ka më rrezik për jetën”, thonë mjekët e spitalit. Ndërsa 19-vjeçari Sabah Fetahu që gjendej në reanimacion kishte humbur për momentin kujtesën dhe mund të thoshte vetëm emrin e vet. Nga kjo gjendje ai doli vetëm në orët e pasdites.

Hetimi paraprak: Shpërthimi nga vakumi në bolier
Policia e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, ka shpjeguar të gjitha rrethanat dhe faktet e mbledhura deri tani lidhur me shpërthimin që ndodhi në hotelin “Elesio” të Golemit mëngjesin e djeshëm. Në vendngjarje ka shkuar një grup hetimor, i cili përbëhet nga prokurori i Kavajës, ekspertë kriminalist të Tiranës dhe ekspert të Njësisë Antieksploziv nga Policia e Shtetit. Në komisariatin e Kavajës janë shoqëruar dhe pjesëtarë të stafit të hotelit. Nga të dhënat e para mendohet që shkak i shpërthimit në dhomat e brendshme të hotelit ka qenë plasja e një bolieri në një nga tualetet, i cili ka qenë bosh prej kohësh dhe vakumi ka sjellë shpërthimin. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë, duke mos përjashtuar asnjë pistë.

Mësuesi: U shemb ballkoni dhe muret e katit të katërt
Edison Sabedini ka shpëtuar për “një fije peri” pa u lënduar nga shpërthimi i mëngjesit. Ai është mësuesi kujdestar që jep lëndën e biologjisë në shkollën e mesme mjekësore të Gjilanit, e cila përgatit laborantë dhe biologë. Përmes një interviste ku me zor i nxjerr fjalën nga tmerri i përjetuar mësuesi rrëfen ngjarjen e rëndë.
Ku ishe kur ndodhi shpërthimi?
Gjendesha në katin e katërt. Në të njëjtin kat ku u lokalizua shembja e ballkonit dhe e mureve, por dhoma jonë nuk pësoi shembje, pasi gjendej në anën e kundërt.
Si e përjetove atë moment?
Ishim të gjithë në gjumë të thellë. Kishim kaluar një mbrëmje të hareshme, pasi në Shqipëri kishim ardhur për një ekskursion pesëditor, ku po kalonim vërtet mirë, derisa erdhi ai çast i mallkuar kur tavani na ra mbi kokë. Fillimisht dëgjuam një zhurmë të fortë dhe më pas ndjemë që betoni i ballkonit, muret, xhamat, tullat, llaçi e deri tek valixhet e udhëtimit të fluturonin sa andej-këndej. Menduam fillimisht për ndonjë tërmet apo bombardim, por më pas morëm vesh se ishte shembur hoteli. U zgjuam të tmerruar, duke ulëritur dhe fluturova në anën tjetër të godinës, atje ku dëgjoheshin rënkimet e nxënësve të mi të lënduar. Pamja ishte rrëqethëse, por e mora veten shpejt. Së bashku me shoferin e autobusit dërguam në urgjencën e Spitalit të Durrësit Shkurten, e cila kishte humbur ndjenjat dhe ishte gjakosur. Teksa transportonim të plagosurën, u thashë kolegëve të mi të kontrollojnë në çdo dhomë të hotelit për të lënduarit e tjerë.
Po për plagosjen e Fetahut kur e morët vesh?
Ndodhesha në spital, kur aty mbërriti me urgjencë edhe nxënësi tjetër Sabah Fetahu. Edhe ai kishte humbur ndjenjat dhe më pas nuk mbante mend asgjë. Ishte i traumatizuar, pasi pjesë nga tavani e kishin goditur në fytyrë. Mjekët e Durrësit më thonë se gjendja e tij për jetën është nën kontroll dhe kjo po më ngroh së tepërmi. Lus Zotin që ky djalë i shkëlqyer të mos pësojë asgjë. Fetahu studion për laborant dhe e ka shumë pasion mjekësinë. Unë jam mësuesi kujdestar i tij dhe do të rri këtu deri në shërimin përfundimtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›