E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, rrëzohen ushtarakët

 

Armand Bajrami

Ish-ushtarakët e akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec do të gjykohen bashkë me Mihal Delijorgjin dhe tre të arrestuarit e tjerë të tragjedisë. Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e avokatëve të 25 ushtarakëve të pandehur, të cilët kërkuan veçimin e çështjes nga katër personat e akuzuar për vrasje. Dje avokati i Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia kërkoi kohë për t’u konsultuar me klientin e tij për një kërkesë për gjykim të shkurtuar. Nëse kjo ndodh, Delijorgji gjykohet me aktet që janë në dosje duke përfituar në fund uljen e një të tretës së dënimit me burg të përjetshëm, ç’ka parashikohet për akuzën “vrasje masive” ngritur ndaj tij. Procesi në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes “Gërdeci II” në gjykatën e kryeqytetit vijoi dje me parashtrimin e kërkesave paraprake nga pala e mbrojtjes. Para treshes gjyqësore të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, avokatët kërkuan pavlefshmëri të një sërë aktesh procedurale, përfshi vendimin për dërgimin e dosjes në gjykatë, si dhe kërkesën për gjykim. Në argumentimin e kërkesave për pavlefshmëri, avokatët pretenduan shkelje të kryera nga organi i Prokurorisë në lidhje me afatet hetimore dhe shkelje të kryera në fazën e hetimeve nga ekspertët tekniko-ushtarakë dhe ekonomiko-financiarë. Ndërkohë, avokatët e katër prej të pandehurve, mes të cilëve Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, paralajmëruan faktin që mund të kërkojnë gjykim me kohë të shkurtuar. Ata kërkuan dje shtyrje të seancës për të kontaktuar klientët, të cilët po shqyrtonin mundësinë e kërkesës për gjykim të shkurtuar. Përfaqësuesit e Prokurorisë e rezervuan dje të drejtën e tyre për t’u shprehur mbi kërkesat për në seancën e radhës, e cila do të jetë në 12 tetor.
KERKESAT
Në dy orë e gjysmë seancë, tre shqyrtuesit e dosjes “Gërdeci II”, gjyqtarët Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari u njohën me kërkesat e avokatëve dhe të pandehurve të pranishëm. Ibrahim Lahi, avokati mbrojtës i të pandehurit Luan Hoxha, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm kërkoi nga gjykata pavlefshmëri absolute të vendimit për dërgimin e dosjes në gjykatë dhe të kërkesës për gjykim. E njëjta kërkesë u artikulua edhe nga mbrojtësi ligjor i të pandehurve Shpëtim Spahiu dhe Ardian Mullai. Sipas avokatit, vendimi për dërgimin e dosjes për gjykim dhe kërkesa për gjykim janë marrë jashtë afateve ligjore të hetimit. Në masë u kërkua dje edhe pavlefshmëria e akteve të ekspertimit ekonomiko-financiar dhe atij tekniko- ushtarak. Sipas avokatit Vladimir Meçi, dy nga ekspertët që kanë kryer të parin janë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ligji ua ndalon atyre të kryejnë çdo detyrë tjetër, përveç mësimdhënies. Ndërsa i pandehuri Zenun Ferro kërkoi pavlefshmërinë e akt-ekspertimit tekniko-ushtarak të datës 10 shkurt 2009. “Ekspertët që e kanë kryer janë pa licencë dhe pa arsim përkatës. Dy prej tyre janë liruar nga ushtria në vitin 2000 dhe janë marrë si ekspertë në vitin 2008”, tha Ferro. Po dje avokatët e të pandehurve Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Agim Lala dhe Lavdi Shatro kërkuan shtyrje të seancës për të marrë kontakt me klientët e tyre, të cilët po shqyrtonin mundësinë e kërkesës për gjykim me kohë të shkurtuar.

Kërkesat e avokatëve

Pavlefshmëri të akt-ekspertimit ekonomiko-financiar  Pavlefshmëri të akt-ekspertimit tekniko-ushtarak Pavlefshmëri për vendimin e dërgimit të çështjes për gjykim Pavlefshmëri të kërkesës për gjykim Pavlefshmëri të gjitha deklarimet e dhëna nga të pandehurit Pavlefshmëri të njoftimit të akuzë për “Albademil” sh.p.k Pavlefshmëri akt-kontrollit të zyrës së Ylli Pinarit

Avokati: Kompjuter Pinarit në qeli

Mbrojtësi ligjor i ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, shprehu dje para gjykatës kërkesën që klientit të tij t’i mundësohet një kompjuter në burg. Referuar numrit të madh të faqeve të dosjes “Gërdeci”, 28 mijë, avokati tha se vetëm me ndihmën e një kompjuteri klienti i tij mund të njihet me gjithë dosjen. Gjykata nga ana e saj u shpreh se të pandehurit nuk i ishte mohuar e drejta që në çdo kohë të kërkonte njohje me fashikujt e dosjes. Asnjë nga të pandehurit e arrestuar, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci nuk ndodheshin dje në kafazin e sallës së gjyqit, ndërsa interesat e tyre mbroheshin nga avokatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›