Qeveria: Pronarët e mjeteve urbane, të sigurojnë pasagjrët
Pronarët e autobusëve të transportit urban e interurban, duhet të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve
TIRANË - Shpenzimet e të aksidentuarve që janë duke udhëtuar me mjete të transportit publik, do të hiqen nga kompanitë e sigurimeve.
Për të përfituar këtë shërbim, të gjithë pronarët e autobusëve të transportit urban e interurban, autobusëve turistik, të taksive, madje, edhe çdo mjeti lundrues dhe fluturues që përdoret për transport publik, duhet të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve që ata transportojnë.
Sipas projektligjit të miratuar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kontrata duhet të lidhet midis pronarit të mjeteve të sipërpërmendura dhe një agjencie sigurimi. Në qoftë se, në momentin që ndodh aksidenti, pronari i mjetit nuk ka lidhur një kontratë sigurimi për pasagjerët e tij, është i detyruar të mbulojë vetë të gjitha shpenzimet që ky projektligj ua ngarkon shoqërive të sigurimit.
Në rast aksidenti ku pasagjeri humb jetën apo pëson dëmtime që i shkaktojnë paaftësi të përhershme, ai ose përfituesi i siguracionit të tij do të dëmshpërblehet nga kompania e sigurimeve, me të cilën pronari i mjetit të aksidentuar ka lidhur kontratën.
Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, është 2 milionë lekë, në rast humbje jetë dhe 4 milionë lekë, në rast të shkaktimit të paaftësisë së përhershme.
Projektligji parashikon përfshirjen në kontratë edhe të personave që mund të pësojnë aksident gjatë qëndrimit në territorin e stacionit, portit apo aeroportit ose pranë mjeteve të transportit para se të hipin ose që janë duke zbritur, të cilët kanë qëllim të udhëtojnë ose që kanë përfunduar udhëtimin, pavarësisht nëse kanë prerë apo jo biletë.
Ndër pasagjerët, të cilët mbulohen nga kontrata e sigurimit, përfshihen edhe personat që u njihet e drejta e udhëtimit pa pagesë, siç janë, invalidët, veteranët e luftës, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, etj.
E kundërta ndodh në transportin ajror, pasi personat që gjenden në avion, në shkallë ose kabinë pa autorizimin e pronarit të avionit, ose të ekuipazhit, nuk konsiderohen pasagjerë dhe shoqëria e sigurimit ka detyrim mbulimin e shpenzimeve në rast aksidenti. Pasagjeri i përfshirë në një aksident ose përfituesi i sigurimit të tij në rastin kur pasagjeri humb jetën, ka të drejtë që, sipas kushteve të kontratës, të kërkojë nga shoqëria e sigurimit të paguajë detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë drejtpërdrejt tek ai.