E Shtunë, 31 Tetor 2026

“SIGMA” siguroi 8.3 miliardë të ardhura në 2008-n

04/02/2009  Kompania festoi 10-vjetorin e krijimit

Kompania “SIGMA” mbushi dje 10 vjet nga krijimi i saj. Aktualisht kjo kompani zë një pozicion të rëndësishëm në tregun shqiptar. Kompania lider në tregun e sigurimeve në vend, u shërben me cilësi rreth 100 mijë klientëve, ofron 20 produkte sigurimi, ka degët e saj në të gjithë vendin dhe ka shtrirje territoriale në Kosovë e Maqedoni. Me këtë rast drejtori i kompanisë, Qemal Disha u shpreh në një konferencë për shtyp se situata financiare e kompanisë është e shëndoshë dhe i jep mundësi për t’iu përgjigjur me shpejtësi klientëve të saj. Sipas zotit Disha, ngjarja më e rëndësishme për kompaninë është viti 2007, kur SIGMA u bë pjesë e VIG-ut, grupit më të madh të sigurimeve në Austri dhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore, i cili është i pranishëm në 23 vende me 44 kompani. “Vetëm pak ditë me parë, u lajmëruan rezultatet paraprake të VIG-ut. Primet e shkruara bruto (të pakonsoliduara) arritën 8.3 miliardë euro, një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2007. Biznesi në vendet e CEE-së u rrit me 35% krahasuar me 2007-n. Fitimi i grupit është rreth 540 milionë euro”, - tha Disha. Rezultatet e kompanisë vitin e kaluar ishin inkurajues edhe në Shqipëri e Kosovë. “Të ardhurat nga primet arritën në mbi 14.4 milionë euro, nga 12,5 milionë euro që ishin në vitin 2007, me një rritje 15.2%. Kjo rritje e primeve vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga sigurimet vullnetare, që në vitin 2008 kapin vlerën 4 milionë euro, nga 2 milionë euro që ishin në vitin 2007. Të ardhurat nga investimet financiare u rritën rreth 2 herë”, - theksoi zoti Disha. Gjatë vitit të kaluar, SIGMA ka zgjeruar gamën e produkteve të ofruara dhe po fokusohet në ofrimin e shërbimeve në sigurime, për të gjitha llojet e risqeve, si për klientë individualë, ashtu edhe për korporatat. “Një ndër produktet e reja që do të jetë një nga sfidat e këtij viti është paketa e sigurimit shëndetësor, e cila ofron shërbim të zgjeruar shëndetësor për klientët tanë, përfshirë trajtimin në klinikat më të mira mjekësore kryesisht në Shqipëri e Turqi, por edhe në vende të tjera të botës”, - theksoi Disha. Në fjalën e tij kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Sigma Vienna Insurance Group”, zoti Kristof Wolf, theksoi se edhe gjatë këtij viti investimi në produktet e reja do të jetë në radhë të parë në shërbim të nevojave të publikut, për t’ju përshtatur sa më mirë atyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›