E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Si do të mbikëqyren kazinotë, bastet dhe lojërat e fatit

Këshilli i Ministrave krijon Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Në kontroll edhe bastet online për ndeshjet e futbollit

Shaban Sulçe
Të gjitha lojërat e fatit, kazinotë, lotaritë kombëtare dhe bastet sportive tashmë do të mbikëqyren nga një autoritet i ri shtetëror, që do të quhet Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Një gjë e tillë është vendosur nga Këshilli i Ministrave, që me anë të një projektvendimi i ka dhënë kompetenca të plota kontrolli dhe mbikëqyrjeje, strukturës më të re të krijuar prej saj. Kompetencat e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të jenë të gjithanshme. Ato shtrihen nga kontrolli i licencave, deri te procedurat e lojërave të fatit dhe tek të ardhurat që sigurojnë ato.
Funksioni
Sipas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të kryejë funksionin e mbikëqyrjes dhe kontrollimit të veprimtarisë së subjekteve të licencuara, për luajtjen e lojërave elektronike, lotarisë kombëtare dhe lojërave aritmetike, brenda dhe jashtë sallave në të gjithë territorin e vendit. Konkretisht, kjo Njësi do të kontrollojë mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë dhe për organizimin e lojërave, në përputhje me përcaktimet e bëra në licencë, me legjislacionin për lojërat e fatit dhe me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu ajo do të kontrollojë dhe mbikëqyrë luajtjen e lojës në përputhje me rregulloren dhe standardin e biletës, të miratuar nga ministri përgjegjës për Ekonominë si dhe do të kontrollojë certifikimin e pajisjeve nga DPMK-ja, si dhe origjinën dhe kohën e përdorimit të tyre.
Bastet sportive
Edhe bastet sportive, të cilat janë shumë të përhapura në vend, do të jenë pjesë e kontrollit dhe mbikëqyrjes së strukturës që do të krijohet pas projektvendimit të Këshillit të Ministrave. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të kontrollojë veprimtarinë e subjekteve të licencuara në kategoritë “konkurse për parashikime sportive”, “baste” dhe “garat sportive që zhvillohen në hipodrom” në të gjithë territorin e vendit. Ky kontroll do të ketë të bëjë me mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë e për organizimin e lojërave sportive, në përputhje me përcaktimet e bëra në licencë, me legjislacionin në fuqi për lojërat e fatit dhe me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu do të mbikëqyret dhe kontrollohet luajtja e lojës në përputhje me rregulloren, standardin e biletës, të miratuar nga ministri përgjegjës për Ekonominë. Njësia do të kontrollojë edhe luajtjen e “basteve sportive”, që luhen online nëpërmjet internetit.
Kazinotë
Edhe kazinotë do të jenë objekte gjithashtu të kontrollit të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Ato do të kontrollohen përsa i përket vlefshmërisë së licencave, për mënyrën e sigurimit të tyre si dhe kontrollit të pjesëmarrësve në lojë gjatë hyrjes në sallë. Objekt i kontrollit do të jenë certifikimi i pajisjeve të kazinove dhe koha e përdorimit të tyre, luajtja e lojërave në përputhje me rregulloret përkatëse.
Gjithashtu Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të kontrollojë edhe subjektet e pajisura me autorizim nga Ministria e Ekonomisë për luajtjen e lojërave promocionale të fatit. Ajo do të mbajë regjistrin e subjekteve të licencuara dhe të sallave të hapura të tyre në të gjithë vendin, numrin e automateve/pajisjeve për çdo sallë dhe karakteristikat specifike të tyre, numrin e punonjësve dhe kualifikimin përkatës, numrin e biletave të lotarisë kombëtare të hedhura në treg dhe ato të shitura, numrin e shorteve të hedhura nga organizatori i lotarisë kombëtare dhe organizatorët e tele-bingos, të ardhurat dhe fitimin e subjekteve të licencuara në lojërat e fatit si dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore prej tyre, si të rakorduara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj në rrethe.

17 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›