LRI dhe LSI, protestë kundër depozitimit të arsenikut në Fier
Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje një protestë në qytetin e Fierit, për t’i thënë "JO" groposjes së mbetjeve të lëndëve kimike të azotikut në këtë qytet. Mijëra qytetarë fierakë iu bashkuan dje iniciativës së LRI-së duke kërkuar nga pushteti vendor dhe ai qendror që të mos e kthejnë qytetin e tyre në një gropë të zezë kimike. Në këtë protestë, së bashku më të rinjtë e LRI-së dhe qytetarët fierakë, morën pjesë edhe lideri i LSI-së, Ilir Meta, nënkryetari i LSI-së, deputeti Dritan Prifti, si dhe drejtues të LSI-së në Fier dhe drejtues të LRI-së.
Me banderola nëpër duar, "Berisha NDAL, nuk të lejojmë të helmosh Fierin", "Fieri nuk është Gërdec”, "Për të ardhmen e Fierit vendosin vetë fierakët", etj., etj., të rinjtë e LRI-së kanë zhvilluar një protestë para Uzinës së Azotikut të Fierit, ku kanë kërkuar që të ndalet projekti i groposjes së 2 mijë tonëve arsenik.
Në mënyrë simbolike, për t’i thënë ndal Sali Berishës dhe cilitdo që dëshiron që Fieri të kthehet në një depozitë kimike, kryetari i LSI-së Ilir Meta dhe deputeti Dritan Prifti kanë mbjellë pemë pranë ish-Uzinës Azotikut të Fierit.
17 Prill 2008