Legjislacioni shqipëtar së shpejti do të hidhet në një database elektronik

Legjislacioni shqiptar nga viti 1991 do të vendoset së shpejti në një database elektronik. Ecuria e projektit për kompjuterizimin e bazës ligjore të të dhënave të Kuvendit, që po realizohet në bashkëpunim me OSBE-në, u prezantua në një aktivitet të organizuar sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Një projekt ambicioz dhe të guximshëm e cilësoi kryeparlamentarja, Jozefina Topalli kopjuterizimin e ligjeve të Shqipërisë, duke nënvizuar se "ky projekt bën të mundur që Kuvendi i Shqipërisë të jetë në të njëjtin nivel me parlamentet e tjerë të Europës, nga pikpamja e teknologjise së informacionit. Kjo bazë të dhënash do të bëjë të mundur që të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë nga viti 1991 e deri më sot, të mund të konsultohen online në versionin e tyre të plotë "full tekst" dhe çka është më e rëndësishmja në formën e tyre integrale. Pra të kemi ligjin në formën e tij përfundimtare, duke përfshirë gjithë amendimet që ka pësuar ndër vite", vuri në dukje ajo. Kryeparlamentarja informoi se një ndër prioritetet e punës së saj ka qenë rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kuvend, me qëllim efektshmërinë e punës së deputetëve dhe të stafit të këtij institucioni. Njëherësh ky proces, sipas Kryetares Topalli ka qenë në funksion të rritjes së transparencës së veprimtarisë së institucionit me zgjedhësit. "Në Kuvendin e Shqipërisë po bëhet një transformim rrënjësor i teknologjisë së informacionit", theksoi znj. Topalli, e cila veçoi si një pjesë të rëndësishme të projektit "përfundimin e instalimit të rrjetit kompjuterik në të gjithë godinën e Kuvendit, së bashku me vendosjen e internetit, ngritjen e bazës elektronike të të dhënave të procesverbaleve, të seancave dhe interpelancave etj". Gjatë prezantimit, konsulenti i projektit André van der Meer, vlerësoi angazhimin e Kryetares së Kuvendit, për zbatimin korrekt të fazave të projektit. "Ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe jetik për organizimin e Kuvendit, si institucioni kryesor i një Republike parlamentare", u shpreh konsulenti der Meer.
...