Të gjithë shtetasit përfitojnë shërbimet bazë shëndetësore

Të gjithë qytetarët shqiptarë, të siguruar ajo jo, do të përfitojnë nga shteti paketën bazë të shërbimeve shëndetësore, sipas projektligjit "Për shëndetin publik", i hartuar dhe i prezantuar tashmë nga Ministria e Shëndetësisë (MSH), me asistencë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. "Ky ligj synon të vendosë disa piketa lidhur me disa masa që duhet të vendosë shoqëria jonë apo shteti, për të siguruar një shëndet të mirë për të gjithë popullatën", tha sot drejtori i Shëndetit Publik pranë MSH, Gazmend Bejtja. Kjo, sipas tij, do të thotë se pavarësisht nga shëndeti individual, janë disa masa të organizuara që merren nga shteti, në mënyrë që të jetojmë në një ambient të sigurt, me mjedis të pastër. Ajri, uji, toka, rrezatimet, kimikatet, mbrojtja nga substancant e ndryshme abuzive, ushqimi i shëndetshëm dhe i sigurtë që duhet të marrë çdo person, çështje që kanë të bëjnë me depistimin e shumë sëmundjeve, apo me ndjekjen siç duhet të grave shtatzana, janë elementë ku kërkohet të vendoset rregull përmes këtij projektligji. "Praktikisht, ky ligj shërben shumë sepse siguron që gjithë popullata të ketë mundësi të marrë shërbimet bazë shëndetësore, pavarësisht nga gjendja ekonomike e tyre", theksoi Bejtja. Paketa e shërbimeve bazë, që garantohen nga shteti, janë promovimi i shëndetit, edukimi shëndetësor, parandalimi i sëmundjeve, siguria ushqimore (përfshirë monitorimin e ujit të pijshëm), shëndeti në punë, shëndeti mjedisor, shëndeti riprodhues, ai mendor, sistemi i informacionit dhe survejanca në shëndet publik, laboratorët e shëndetit publik, monitorimi i shërbimeve të shëndetit publik në kujdesin shëndetësor parësor, kërkimi shkencor në shëndetin publik, si dhe trajnimet në shëndetin publik. Z.Bejtja vlerëson se ngritja e Këshillit Kombëtar, i parashikuar në projektligj, është e nevojshme për marrjen e vendimeve të duhura, duke qenë se shëndeti publik përfshin një gamë të gjerë që kalojnë kompetencat e kufijtë e një institucioni.
...