E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon Mirel: Jo në parlament pa hapur kutitë

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti sot në një takim Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel dhe Ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë z. Helmut Lohan.

“Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës. Ne nuk hyjmë në parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen.”- deklaroi kreu socialist për gazetarët menjëherë pas takimit që u zhvillua sot paradite në selinë e PS-së.

“Hapja e kutive është kushti themelor për t’i dhënë parlamentit legjitimitetin e munguar dhe njëkohësisht për të mos lejuar që shëmtia e zgjedhjeve të shkuara të përsëritet dhe që Shqipëria të hyjë në një cikël i cili do të ishte një skemë e mbyllur ku pushteti numëron pavarësisht sesi voton populli.”- theksoi Rama në fjalën e tij.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel dhe Ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë z. Helmut Lohan nuk kanë dhënë asnjë prononcim pas takimit.

Mësohet se po sot paradite rreth orës 11.00 Rama do të zhvillojë një takim me aleatët mbi aksionin politik që do të ndërmerretnë vazhdim.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›