E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët dhunojnë gazetarin dhe operatorin

Mëngjesin e së premtes të kaluar, një gazetar dhe operator i emisionit "Fiks Fare" u dhunuan fizikisht nga një grup mjekësh të Repartit të Reanimacionit, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Grupi i xhirimit ishte pajisur me leje nga drejtoria e kësaj Qendre, stafi i së cilës së fundmi ka filluar të vërë rregulla të rrepta për gazetarët përsa u përket xhirimeve brenda ambjenteve, sidomos kur këta të fundit përfaqësojnë emisionin "Fiks Fare". Edhe pse të pajisur me një leje për të xhiruar brenda ambjenteve të Shërbimit të Sëmundjeve të Brendshme, grupi i xhirimit ka mundur të hyjë në të gjitha ambjentet e QSUT-së. I vetmi pavijon ku ata nuk u lejuan të filmonin ishte ai i Reanimacionit.

Mjekët, me në krye shefin e këtij shërbimi, Ilir Ohrin, kanë fyer, dhunuar dhe përvetësuar me forcë kasetën, pronë e "Top Channel". Pasi i kanë marrë me dhunë kamerën dhe kasetën, ata kanë lajmëruar forcat e policisë, të cilët me të mbërritur në vendngjarje, nuk kanë mundur të qetësojnë bluzat e bardha. Ata kanë vazhduar nga fyerjet, kërcënimet, edhe pse në prezencë të uniformave blu. Gazetari i "Fiks"-it mundi të regjistroi me anë të celularit debatin që u bë, pasi erdhën forcat e policisë. Edhe pse gazetari këmbënguli që t‘i kthehej kaseta, shefi i pavijonit nuk pranoi, me pretekstin se do të bënte denoncim në polici dhe kaseta do të përdorej si provë. Pasi u njoh me situatën, drejtori i kësaj Qendre, Mati Pepa, urdhëroi z.Ilir Ohri që kaseta e përvetësuar t‘i kthehet grupit të xhirimit. Por ky i fundit refuzoi, duke mos zbatuar as urdhrin e eprorit të tij.

Gazetari dhe operatori i emisionit "Fiks Fare", fill pas incidentit, i janë drejtuar prokurorisë së Tiranës, ku kanë bërë kallzim penal për dhunën e ushtruar ndaj tyre, kërcënimin dhe përvetësimin e pronës nga bluzat e bardha. Ndërkohë që prokuroria është duke zbardhur ngjarjen, një ditë me pas reagoi edhe ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili e cilësoi aktin "të dënueshëm". "Ne jemi të vendosur për një transparencë maksmimale ndaj medias. Në çdo rast misioni i gazetarit është i qartë: të intervistojë dhe të investigojë. Janë të papranueshme e të dënueshme pengesa të tilla artificiale apo rasti më i keq, duke ushtruar dhunë ndaj gazetarëve", tha Ndoka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›