E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelekom: Abonentët tanë meritojnë gjithmonë maksimumin



Kompania e telefonisë fikse në vend, “Albtelekom”, ka prezantuar dje planin e ri tarifor për abonentët familjarë. Prej datës 20 maj kompania ka hedhur në treg planin tarifor për klientët familjarë, “Pa limit”, i cila u mundëson abonentëve të flasin gjatë dhe pa limit kundrejt një pagese fikse prej 500 lekësh (pa TVSH). Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa Resit Akdogan, tha dje se sikundër është premtuar dhe më parë, kompania ka përgatitur një paketë të veçantë për të gjithë abonentët familjarë. “Krahas kësaj pakete shumë ekonomike, Albtelekomi ka menduar edhe për thjeshtimin e procedurave dhe për t'u bërë pjesë e këtij plani tarifor, ku abonentët familjarë mund të aplikojnë në pikat e shitjes, pa asnjë tarifë shërbimi”,- tha Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa Resit Akdogan. Abonentët që bëhen pjesë e këtij plani tarifor do të vazhdojnë të paguajnë tarifën e pajtimit mujor prej 240 lekësh pa TVSH. Edhe në shërbimin e internetit “ADSL”, Akdogan tha se Albtelekomi sjell një reformë totale duke ulur tarifat e shërbimit të ADSL-së dhe dyfishuar shpejtësinë për paketat ekzistuese. Nga këto shërbime, sipas tij, “mund të përfitojnë të gjithë klientët e shërbimit ekzistues dhe ata të cilët zgjedhin të abonohen në shërbimin tonë pas muajit qershor”. “Duke nisur nga 1 qershori, Albtelekom do të dyfishojë kapacitetin e internetit për abonentët ekzistues. Përveç kësaj, çmimet nuk do të pësojnë rritje, përkundrazi, do të ketë një ulje të çmimeve për disa prej paketave të veçanta, të cilat variojnë nga 10-40 për qind”,- tha Akdogan. Në sajë të investimeve dhe ofertave, numri total i abonentëve të telefonisë fikse të Albtelekomit aktualisht ka arritur në mbi 293 mijë abonentë. Vetëm gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2009 numri i abonentëve të rinj ka kaluar shifrën 25 mijë në të gjithë vendin. Gjithashtu ai falënderoi të gjithë abonentët e Albtelekomit, të cilët kanë zgjedhur shërbimet dhe paketat e hedhura në treg.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›