Konkurrenca miraton shitblerjen e 76% të transaksioneve të OSSH-së nga “CEZ”
Komisioni i Konkurrencës miratoi në mbledhjen e tij të djeshme, autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet transaksionit të shitblerjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH sh.a nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës tek shoqëria “ÇEZ a.s”. Transaksioni i blerjes së 76 për qind të aksioneve te shoqërisë OSSH sh.a nga Shoqëria “ÇEZ a.s.” është realizuar nëpërmjet "Marrëveshjes për blerje aksionesh" e datës 11 mars 2009, nënshkruar nga METE dhe shoqëria “ÇEZ a.s.”. Marrëveshja e datës 11 mars 2009 e përqendrimit të synuar është miratuar nga Kuvendi me datë 23 prill 2009. Burime nga Komisioni i Konkurrencës bënë të ditur për se ky transaksion paraqitet si përftim kontrolli i drejtëpërdrejtë ku OSSH sh.a do kontrollohet nga aksioneri maxhoritar “ÇEZ a.s” si zotërues i 76 për qind të kapitalit aksioner me të drejtë vote. Ministria e Ekonomisë, si përfaqësues i shtetit shqiptar do të zotërojë 24 për qind të aksioneve. Tregu i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike është një treg i rregulluar nën mbikëqyrjen e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, i cili ka kompetencë të miratojë tarifat dhe metodologjitë e llogaritjes së çmimit për konsumatorët finalë. Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë në mënyrë të drejtepërdrejtë dhe të vazhdueshme tregun e energjisë elektrike.
METE: Në 15 qershor zhvillohet tenderi për HEC-in në rezervuarin e Thanës
Rezervuari ujor i Thanës (Muriz) në rrethin e Lushnjës do të shfrytëzohet dhe për prodhimin e energjisë elektrike, pasi aty pritet të ndërtohet me koncesion një hidrocentral lokal. Tenderi i hapur për ndërtimin e tij me koncesion do të zhvillohet në datën 15 qershor në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila së fundi ka shpallur ftesën me procedurë konkurruese për pjesëmarrje të subjekteve private, vendase dhe të huaja. Sipas burimeve zyrtare nga METE, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 15 qershor, kur dhe do të hapen ofertat në mjediset e saj. METE ka arritur të përfundojë rreth 60 kontrata koncesionare për ndërtimin e 104 HEC-ve vendorë në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat kapaciteti prodhues i energjisë në total llogaritet në 1000 megavat.
28 Maj 2009