E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qeveria britanike po krijon një shtet policor"

Stela Rimington është grua
ja që ka pasur funksionin më
të lartë në shërbimet e fshehta
britanike dhe që kur ka lënë
punën, vite më parë, është
shndërruar në një personazh,
deklaratat e së cilës kanë ngjallur
gjithmonë debate dhe diskutime.
Në një intervistë të fundit për të
përditshmen spanjolle "La Vanguardia",
Rimington akuzon
hapur ministrat e qeverisë për shkelje
të privatësisë së qytetarëve
britanikë. "Që kur kam lënë
detyrën, ndihem më e lirshme për
të dalë kundër disa vendimeve të
qeverisë, veçanërisht kundër tentativave
të saj për të aprovuar disa
ligje të caktuara që kanë të bëjnë
në mënyrë të drejtpërdrejtë me
privatësinë e njerëzve". Sipas saj,
qeveria do të bënte mirë që të konstatonte
ekzistencën e rreziqeve të
mundshme dhe jo të frikësonte
njerëzit për të krijuar kështu
klimën për aprovimin e ligjeve që
u shkaktojnë dëm të drejtave
qytetare, çka përbën edhe një nga
objektivat e terrorizmit: të jetojmë
në frikë nën një shtet policor. 73-
vjeçarja shtoi se "Shtetet e Bashkuara
kishin shkuar tepër larg në
këtë drejtim, me Guantanamon
dhe aplikimin e torturave dhe një
taktikë e tillë jo vetëm që nuk kishte
arritur të ndryshonte situatën,
por përkundrazi e kishte përkeqësuar
atë edhe më. Terroristët
vetëvrasës janë shtuar dhe ata
tashmë kanë gjetur justifikim për
veprimet e tyre". Sipas saj, edhe
"djemtë" e shërbimeve sekrete
britanike "nuk ishin engjëj", por të
paktën nuk ishin të përfshirë në
vrasjen e njerëzve. Rimington ishte
femra e parë që mori detyrën e
shefes së MI5 në vitin 1992 dhe
qëndroi në krye të agjencisë deri
në vitin 1996. Që nga momenti kur
u largua nga detyra, ajo ka qenë
një kundërshtare e hapur dhe e
ashpër e politikës dhe taktikave
anti-terrorizëm të përdorura nga
qeveria britanike, veçanërisht
për masat që kanë të bëjnë me liritë
dhe të drejtat e qytetarëve.
Në vitin 2005, ajo deklaroi se
planet e qeverisë për Kartat e
Identitetit (ID Cards) ishin "absolutisht
të panevojshme dhe
kurrsesi nuk do të rrisnin sigurinë
e publikut. Një vit më parë ajo kritikoi
tentativat për të zgjatur periudhën
e arrestit pa formuluar
akuzën në rastin e të dyshuarve
për terrorizëm. Vërejtjet dhe deklaratat
e saj më të fundit janë bërë
ndërsa Ministria e Brendshme
pritet që të publikojë planet për
një shtim dhe zgjerim të mbikëqyrjes
shtetërore përmes policisë
dhe shërbimeve sekrete që
do të ketë të bëjë me monitorimet
e të gjitha e-maileve të qytetarëve,
telefonatave dhe veprimeve.
Këshilla të ndryshme
lokale në Britaninë e Madhe janë
akuzuar për përdorimin e ligjeve
anti-terrorizëm, për të futur hundët
në punët personale të personave
të dyshuar. Sipas disa parlamentarëve,
Stela Rimington
ngre me të drejtë alarmin në lidhje
me një qeveri që ka si interes të
sajin parësor përdorimin e sebepit
të kërcënimit terrorist për të
trembur njerëzit, jo për t‘i vënë
nën mbrojtje, por për t‘u marrë liritë
dhe të drejtat që u takojnë. Dy
ditë më parë, një raport i hartuar
nga disa juristë dhe gjyqtarë
ndërkombëtarë të pavarur, akuzoi
drejtpërsëdrejti vende si Britania
e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara
të Amerikës për "shkelje aktive"
të ligjeve përmes masave që
ata ndërmorën në emër të luftës
kundër terrorizmit. Raporti i hartuar
nga Komisioni Ndërkombëtar
i Juristëve thoshte shprehimisht:
"Dështimi i shteteve të
caktuara për të kryer detyrat e tyre
ligjore po krijon një situatë të rrezikshme
kur terrorizmi dhe frika
nga terrorizmi po minojnë parimet
thelbësore të ligjit ndërkombëtar
të të drejtave të njeriut".
Sipas raportit, një numër i madh
masash të ndërmarra nga shumë
qeveri ishin të paligjshme dhe
kishin dhënë efekt të kundërt dhe
se sistemi ligjor i krijuar pas Luftës
së Dytë Botërore ishte plotësisht
adekuat për t‘iu kundërpërgjigjur
kërcënimeve terroriste, pa pasur
nevojën e ligjeve shtesë. Kreu i
komisionit deklaroi: "Gjatë procesit
hetimor për përpilimin e
raportit ne jemi tronditur nga
dëmi që është bërë gjatë shtatë
viteve të fundit prej ndërmarrjes
së masave abuzive anti-terrorizëm
në shkallë të gjerë nga
shumë vende të botës". Sipas tij,
shumë qeveri kanë injoruar
mësimet e historisë, duke lejuar
veten të përfshihen në kundërpërgjigje
jo të drejta ndaj rrezikut
terrorist në dëm të vlerave dhe
duke dhunuar të drejtat e njeriut".

Stela, gruaja që frymëzoi zonjën "M"

Stela Rimington ishte gruaja e parë që u vendos
në krye të Shërbimeve Inteligjente Britanike.
Ajo hyri në botën e fshehtë të shërbimeve sekrete,
ndërsa punonte për Komisionin e Lartë në Indi në
vitin 1967. Pas kthimit në Britaninë e Madhe, punoi
në të tri degët e spiunazhit: kundër-spiunazhi,
kundër-zbulimi dhe kundër-terrorizmi. Në vitin 1992
emërohet drejtoreshë e Përgjithshme e MI5 dhe
ishte gruaja që frymëzoi edhe krijimin e personazhit
të "M" në serialet e James Bond. Që pas largimit
nga detyra në vitin 1996, ka tërhequr vazhdimisht
vëmendjen në lidhje me deklaratat e saj kundër
establishmentit britanik dhe ligjeve të caktuara antiterrorizëm
të ndërmarra këto 8 vitet e fundit. Në
vitin 2001 ajo botoi kujtimet e saj dhe që nga ajo
kohë ka shkruar disa romane spiunazhi. Veç kësaj,
ka qenë dhe është një kritike e vazhdueshme e
politikës anti-terrorizëm jo vetëm e Britanisë së
Madhe, por edhe e vendeve të tjera, përfshi Shtetet
e Bashkuara të Amerikës. Një nga deklaratat e saj
më të bujshme ka qenë ajo e vitit 2005, kur tha se
kundërpërgjigjja amerikane ndaj ngjarjeve të 11
shtatorit "ishte një reagim shumë më i madh nga
sa duhej".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›