E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ullinjtë ekzistues, prodhimi në minimum

Ndërsa qeveria premton se do të pesëfishojë sipërfaqen e mbjellë me ullinj në Shqipëri, statistikat e Ministrisë së Bujqësisë flasin për rënien e ndjeshme të prodhimit nga ullinjtë ekzistues gjatë viteve të fundit, pasojë kjo e drejtpërdrejtë e mungesës së tregjeve të eksportit.

Deputetët janë duke shqyrtuar kontratën e parë koncesionare për mbjelljen e një sipërfaqeje prej 1 mijë hektarësh në zonën e Kavajës nga një kompani private. Por ndërkohë që qeveria mendon të shtojë sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë, ullinjtë ekzistues nuk po shfrytëzohen nga fermeri shqiptar. Përkundrazi, rendimenti i tyre gjatë viteve të fundit ka rënë në nivelet më të ulëta të njohura në historinë e vendit dhe prodhimi ka rënë. Vjetari statistikor i bujqësisë, një produkt i Ministrisë së Bujqësisë, thotë se në vitin 2007, 3.7 milionë rrënjë ullinj në Shqipëri prodhuan mesatarisht vetëm 7 kilogramë ullinj për rrënjë. Në vitin 2000, rendimenti qe 11 kg për rrënjë ndërsa ky është rendimenti më i ulët në historinë e vendit.

Nga ana tjetër, vetëm një pjesë e vogël e prodhimit të ullirit përpunohet në shkallë industriale. Pjesa dërrmuese përdoret nga vetë fshatarët për përdorim personal, ndërsa çmimet e ulëta e bëjnë vjeljen e ullinjve të paleverdishme nga pikëpamja ekonomike. Problemet me pronësinë e ullinjve të trashëguara nga statusi i paqartë ligjor, copëzimi i pronësisë etj., janë faktorë të tjerë shqetësues.

Problem kostoje

Në total, Shqipëria ka ullinj me bollëk. Por vaji i ullirit në tregun e brendshëm kushton 394 lekë për litër, ndërsa për ta prodhuar, nevojitet të vilen tre deri në gjashtë kg ullinj, në varësi të varietetit. Vaji i cilësisë së lartë, kushton në Shqipëri deri në 1 mijë lekë për litër. Vjelja e ullinjve është një proces i vështirë sezonal që kërkon shumë krahë pune për një periudhë të shkurtër kohore. Procesi kërkon njohuri që shumë fshatarë shqiptarë nuk i kanë. Për më tepër, shumë prej tyre nuk shqetësohen për sasinë e acidit të vajit që prodhojnë. Disa kompani përpunimi, të cilat shesin në treg, e kanë shpesh të vështirë të gjejnë ullinj të mjaftueshëm në shitje, për shkak se shumica dërrmuese e fshatarëve vjelin aq sa për konsum personal. Në disa zona të vendit, fshati është i mbipopulluar dhe nga prodhimi i ullirit nuk mbetet shumë për treg. Në disa zona të tjera, si bregu i jugut, fshati është i nënpopulluar dhe nuk ka krahë pune të nevojshëm për të vjelë ullinjtë në çastin e duhur. Që nga koha e Perandorisë Osmane, fshatari shqiptar ka pasur gjithmonë të drejtë të mbjellë ullinj në tokë shtetërore. Rregullat e kohës i jepnin të drejtën e pronësisë dhe përdorimit të ullinjve, por në asnjë rast, pronësinë e tokës, si masë për të rritur interesin e fshatarit për ullirin.

Prodhimi i vajit, në rritje

Pavarësisht se prodhimi i ullinjve ka rënë nga mosmirëmbajtja, prodhimi i vajit të ullirit është shumëfishuar gjatë viteve të fundit, kryesisht për të ngopur tregun vendas. Gjatë vitit 2007, u prodhuan rreth 4 mijë tonë vaj ulliri me vlerë tregtare prej 16 milionë dollarësh. Shtatë vite më parë, pra në vitin 2000, qenë prodhuar vetëm 1870 tonë me vlerë tregtare prej rreth 6.8 milionë dollarësh. Rritja e mëtejshme e prodhimit kushtëzohet nga kërkesa e pakët në tregun vendas, si dhe nga mungesa e tregjeve të huaja. Por mbi të gjitha, rritja e prodhimit kushtëzohet nga çmimi tejet i ulët prej vetëm 400 lekësh për litër. Në total, pasuria kombëtare e ullinjve nuk po përdoret në eficensë.

Mungesë tregu eksporti

Gjatë viteve të fundit, eksporti i vajit të ullirit nga Shqipëria llogaritet me qindarka. Ai është luhatet nga 170 dollarë amerikanë në vitin 1999, në zero në vitin 2001 dhe në 116 mijë dollarë në vitin 2007. Në të njëjtin vit, importi i vajit të ullirit qe rreth 3.2 milionë dollarë. Standardet e rrepta të vendosura nga Bashkimi Evropian për cilësinë e vajit, si dhe paaftësia e shqiptarëve për t‘i plotësuar këto standarde e bën të pamundur eksportimin. Vendet tona fqinje, Italia dhe Greqia janë gjithashtu eksportuese botërore të këtij produkti dhe konkurrenca me to nuk është e lehtë. Megjithatë, ekspertët thonë se Shqipëria mund të eksportojë vaj të virgjër, i cili, nëse prodhohet me cilësi, kushton në tregun ndërkombëtar 8 apo 10 euro për litër.

Statistikat

Në Shqipëri ka 4.7 milionë rrënjë ullinj nga 3.6 milionë që ishin në vitin 2000

Në prodhim, 3.7 milionë rrënjë nga 3.3 milionë që ishin në vitin 2000.

Rendimenti, 7 kg për rrënjë nga 11 që ishte në vitin 2000

Prodhimi, 27.6 milionë tonë nga 36.2 milionë që qenë në vitin 2000

Prodhimi i vajit të ullirit arriti në 3900 tonë nga 1875 tonë që ishte në vitin 2000

Vlera totale e vajit të ullirit ishte 15.6 milionë dollarë nga 6.8 milionë dollarë që ishte në vitin 2000.

Falsifikatorët janë sot në gjendje t‘u shpëtojnë edhe analizave laboratorike

Vaji i ullirit, vështirë ta gjesh origjinal

Për të prodhuar vaj ulliri të cilësisë së lartë, ullinjtë duhet të vilen në çastin që fillojnë të ndryshojnë ngjyrë, nga jeshil në të zinj. Identifikimi i këtij çasti është punë mjeshtërish të sprovuar. Ullinjtë duhet të dërgohen në fabrikë për përpunim brenda pak orësh, sepse nga çasti i vjeljes ato fillojnë të oksidohen ndërsa reaksionet e enzemave krijojnë shije të pakëndshme dhe erë. Për këtë arsye, fabrikat e vajit janë gjithmonë sipërmarrje të vogla që gjenden me shumicë pranë vendit të prodhimit. Prodhimi i tyre quhet "vaj ekstra i virgjër" dhe u dorëzohet fabrikave më të mëdha, të cilat e marketizojnë siç duhet. Në botë ka rreth shtatëqind varietete ullinjsh, të cilat japin produkte me karakteristika dhe shije të ndryshme.

Bashkimi Evropian ka pranuar vajin ekstra të virgjër si produkti i vetëm që mund të shitet për konsum ushqimor. Rregullat e BE-së thonë se vaji i ullirit duhet të ketë 32 karakteristika kimike, nuk duhet të kenë vare aciditet ose jo më shumë se 0.8%. Aciditeti fillon të krijohet nga çasti i vjeljes deri te përpunimi.

Por teknologjia e falsifikimit të vajit të ullirit është zhvilluar shumë gjatë viteve të fundit. Vaji i sojës i ngjyrosur dhe aromatizuar dallohet lehtë edhe nga një blerës i kujdesshëm. Por rafineritë moderne janë në gjendje të përdorin vaj lajthie të përzier me vaj ulliri të cilësisë së ulët (të njohur si lampante), gjë që është shumë e vështirë për t‘u dalluar edhe përmes analizave kimike. BE pranoi në vitin 1991 vështirësitë laboratorike të identifikimit të vajit të falsifikuar dhe vendosi si rregull degustimin nga një panel ekspertësh të njohur.

Vaji i ullirit ose nafta e lashtësisë

Vaji i ullirit ka qenë dieta bazë e popullatës aristokrate të lashtësisë, aq sa shumë ekspertë besojnë se ka qenë një element ekonomik i asaj shoqërie i ngjashëm sot me naftën apo kafenë. Edhe në atë kohë, ka qenë mall i falsifikueshëm njësoj si sot.

Familja e Septimius Severius, i cili u bë perandor i Romës në shekullin e dytë, qe pasuruar nga ullinjtë që zotëronin në Afrikën e Veriut. Historianët e lashtësisë e shohin atë si një personazh të ngjashëm me sheikët e naftës sot. Edhe perandorët Trajan dhe Hadrian qenë nga familje pronarësh ullishtash në Spanjë. Edhe në atë kohë, shteti pati vendosur masa të rrepta kundër mashtrimeve.

Shkatërrimi i ullishtës, për shkak të mosmarrëveshjeve për pronësinë

Prenë 150 rrënjë ullinj,

arrestohen dy vëllezër

Fier - Dy vëllezër nga fshati Cakran i Fierit janë arrestuar dje, pasi kanë prerë plot 150 rrënjë ullinj, në pronësi të një bashkëfshatari të tyre. Luftar Skënderaj, 64 vjeç dhe Ramadan Skënderaj, 53 vjeç, banorë të lagjes "Sulaj" të Cakranit, janë arrestuar nën akuzën e shkatërrimit të pronës. Bashkëfshatari i tyre, Kamber Saliaj, ka bërë një denoncim kundër këtyre dy shtetasve në Komisariatin e Policisë së Fierit mbrëmjen e së hënës. Saliaj ka fajësuar dy vëllezërit për shkatërrimin e ullishtës së tij. Sipas policisë, i dëmtuari kishte në pronësi një ullishte prej 10 hektarësh, por këtë pronë e pretendonin edhe vëllezërit Skënderaj. Të hënën në mesditë, dy vëllezërit kanë debatuar me Saliajn dhe pas këtij debati kanë marrë sëpatat në krah dhe kanë shkuar të shkatërrojnë ullishtën e tij, ku kanë prerë 150 pemë. I dëmtuari është njoftuar rreth orës 18:00 për atë çfarë kishte ndodhur dhe menjëherë është drejtuar për në Komisariatin e Fierit. Policia ka shoqëruar fillimisht për t‘i marrë në pyetje dy vëllezërit Skënderaj dhe pasi ka gjetur prova që vërtetojnë pretendimet e bashkëfshatarit Saliaj ka marrë masën e arrestit. Sipas policisë, ullinjtë e prerë kanë qenë të gjithë 30-vjeçarë. Problemet për pronësinë kanë çuar shpesh në djegie të ullishtave në zona të ndryshme të vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›