E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre muaj afat për vendosjen e kasave

Brenda muajit maj 2009, të gjitha bizneset që operojnë në rrethin e Tiranës duhet të pajisen me kasat fiskale, në të kundërt do të përballen me penalitetet e parashikuara në ligjin "Për procedurat tatimore". Urdhri është lëshuar së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe i referohet në mënyrë të veçantë bizneseve të mesme dhe të mëdha. Për subjektet private që operojnë në rrethe të tjera, afati i fundit është dhjetori 2009. Lidhur me biznesin e vogël, i gjithë procesi i vendosjes së kasave regjistruese duhet të përfundojë brenda vitit që vjen, 2010.

Procesi

Më në fund Ministria e Financave i ka dhënë drejtim procesit të vendosjes së pajisjeve fiskale, pas disa vendimeve për shtyrje të afatit. Burime pranë ministrisë konfirmojnë faktin se është lidhur kontrata me pesë kompanitë fituese të tenderit që u zhvillua në fillim të vitit 2008. Pas shpalljes së fituesve, ministria nxori disa udhëzime mbi formën e vendosjes dhe funksionimit të pajisjeve fiskale, të cilat duhet të jenë të lidhura online me sistemin tatimor. Urdhri i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është publikuar së fundmi në faqen zyrtare të internetit, duke i bërë thirrje biznesit të mesëm dhe të madh që të vendosin pajisjet brenda periudhës maj 2009. Sipas tatimeve, koha është e mjaftueshme, pasi për këtë proces biznesit i është lënë afat 6 muaj. Vendimi prek ato biznese që shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, të cilat janë të detyruara të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme, kuponin tatimor. "Ky afat prek ato subjekte të regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Drejtoria Rajonale Tatimore, Tiranë, kurse brenda periudhës janar - dhjetor 2009, duhet të pajisjen me kasë fiskale personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore", njofton Drejtoria e Tatimeve.

Pajisja

Kapaciteti (memoria) i pajisjes fiskale duhet të sigurojë ruajtjen e regjistrimeve të së paku 1800 raportesh ditore, fiskale, maksimumi i 20 ndryshimeve të shkallëve tatimore dhe të 200 ndërhyrjeve për zhbllokime të software. Përpara se të fillojë hedhja e të dhënave të qarkullimit, nëpërmjet pajisjes fiskale në memorien fiskale, paraprakisht, duhet të futen numri i identifikimit të tatimpaguesit, numri i identifikimit të regjistruesit elektronik (dy shifra për identifikimin e kompanisë shitëse të arkës dhe 4 numra dhjetorë, të tjerë) si dhe data, ora, dhe minuta e fillimit të mbajtjes së regjistrimit të xhiros nëpërmjet regjistruesit elektronik.

Kuponi

Në të njëjtin proces si me kasat fiskale, duhet të ecë edhe iniciativa e tatimeve për të bindur biznesin që për çdo mall apo shërbim të shitur duhet të lëshojë kupon tatimor, pra faturë. Bashkangjitur me vendimin për pajisjet fiskale, Drejtoria e Tatimeve i bën thirrje të gjitha bizneseve në rang vendi që çdo lëvizje të brendshme të mallrave nga magazina në magazine, nga magazina në dyqan apo anasjelltas, në rastin e shitjeve derë me derë, në raste furnizimesh të mëdha, ku kërkohen disa mjete dhe ngarkesa transporti, duhet shoqëruar me faturë, e cila gjendet pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku jeni të regjistruar.

Neni 122

Kundërvajtjet administrative

në përdorimin e pajisjeve fiskale

1) Tatimpaguesi person juridik dënohet me gjobë nga 20.000 deri ne 100.000 lekë nëse:

1. Nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë; 2) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave, apo shërbimet; 3) lëshon një biletë që nuk përmban elementët e përcaktuar në këtë ligj për kuponin tatimor; 4) lëshon kupon tatimor në të cilin ka vendosur një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar; 5) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster për detyrimin e blerësit të mallrave, apo përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor; 6) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në ambientin e ofrimit të mallrave apo shërbimeve; 7) nuk bën faturë për qarkullimin e mallrave të realizuar, apo shërbimeve të ofruara; 8) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave; 9) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë në rastet kur ky ligj parashikon këtë detyrim; 10) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale. 11) nuk njofton menjëherë defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve

2) Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, drejtori përgjegjës i tatimpaguesit, dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 30.000 lekë

3) Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se një herë, mund të vendoset pezullimi i veprimtarisë deri në tre muaj

4) Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se tre herë, mund të vendoset mbyllja e veprimtarisë.

Kuponi tatimor

Kuponi tatimor, që i jepet një blerësi apo një klienti, përmban këto të dhëna:

a)Emrin, adresën e tatimpaguesit dhe adresën e vendndodhjes së biznesit

b) NIPT-in;

c) Numrin e identifikimit të regjistruesit elektronik

ç) Logon fiskale

d) Numrin rendor të kuponit, datën dhe kohën

dh) Emrin, sasinë, çmimin dhe vlerën e qarkullimit të regjistruar të mallrave dhe/ose të shërbimeve

e) Shumën e TVSH-së, sipas shkallës tatimore

ë) Vlerën e mallrave apo shërbimeve të shitura, të përjashtuara nga TVSH-ja

f) Mënyrën e pagesës (cash, çek, kartë krediti etj.)

Shënim: Kuponi tatimor mund të reklamojë edhe të dhëna të tjera dhe duhet të jetë i printuar në dy kopje, një prej të cilave i jepet klientit, ndërsa tjetra qëndron në shiritin e kontrollit

Neni 125

Mosmarrja e kuponit tatimor

Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1.000 lekë të reja apo 10 mijë të vjetra. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit ku kryen shkeljet.

Renditja e kompanive fituese

1. a.e.Distribution Sh.p.k.

2. I.v.a. Elektronik Sh.p.k.

3. BNT Elektronic Sh.p.k.

4. CkV-NOKI-kASSENYSYSTEME-CASIO

5. Rilindja sh.p.k



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›