E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria del garant për kredinë 40 milion euro të KESH-it

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje projektvendimin, me anë të së cilit i del garant KESH-it për marrjen e një kredie. Bëhet fjalë për një huamarrje, vlera e së cilës arrin në 40 milionë euro. Duke qenë se gjatë vitit të kaluar KESH-i ka marrë kredi një sasi të konsiderueshme parash, qeveria është detyruar që të dalë garant për marrjen e kësaj shumë pranë Raiffeisen Bank. Në fakt kjo kredi është në formën e overdraftit, pra që nuk kthehet me këste, por është në formën e kredisë qarkulluese e cila mund të përdoret gjatë gjithë periudhës 5-vjeçare. Interesi për këtë është yield i bonove të thesarit 3-mujore + 0.50 për qind. Krizat energjetike të dy viteve më parë patën një ndikim shumë negativ në financat e KESH-it. Për të mos zhytur vendin në kolaps KESH rriti ndjeshëm importet e energjisë, çmimi i së cilës në tregun ndërkombëtar ishte rritur ndjeshëm. Përballë një situate të tillë KESH gjatë vitit 2007 ka lidhur kontrata me bankat, që operojnë në vendin tonë për linja kredie dhe overdrafti për 95.7 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›