Qeveria do të riparojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga tërmeti i Gjoricës

Ministria e Brendshme hedh poshtë akuzat e PS
“Qeveria ka vënë dhe do të verë në dispozicion gjithçka të nevojshme për të riparuar të gjitha pasojat e tërmetit në zonën e Dibrës. Ekspertët dhe grupet e punës të Ministrisë së Brendshme, Entit Kombëtar të Banesave dhe të qarkut të Dibrës janë në terren nga dita e parë pas rënies së tërmetit dhe po kryejnë vlerësimin e dëmeve”.
TIRANE – Ministria e Brendshme përgënjeshtron deklaratën e Partisë Socialiste lidhur me ndërhyrjen e qeverisë ndaj situatës së krijuar nga tërmeti në disa komuna të qarkut të Dibrës. Gjatë një prononcimi për mediat, zëdhënësi i këtij dikasteri, Fatmir Konja, u shpreh se “ndërhyrja e qeverisë, pas situatës së krijuar në qarkun e Dibrës si pasojë e tërmetit që goditi këtë zonë një javë më parë, ka qenë e shpejtë dhe efikase”.
Ai hodhi poshtë, deklaratën e PS-së se qeveria “është treguar indiferente”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, shprehu garancinë e qeverisë se ka vënë dhe do të verë në dispozicion gjithçka të nevojshme për të riparuar të gjitha pasojat e tërmetit në zonën e Dibrës.
Duke folur për masat e deritanishme, Konja informoi se janë ngritur menjëherë dy kampe me çadra në komunat Gjoricë dhe Shupenzë, komunat më të goditura nga tërmeti. Ekspertët dhe grupet e punës të Ministrisë së Brendshme, Entit Kombëtar të Banesave dhe të qarkut të Dibrës janë në terren nga dita e parë pas rënies së tërmetit dhe po kryejnë vlerësimin e dëmeve.
“292 çadra janë shpërndarë për banorët, shtëpitë e të cilëve janë konsideruar të pabanueshme në komunat Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Ostren dhe Maqellarë. Ndërkohë, 65 çadra janë në gjendje në komunën Shupenzë”, tha ai, duke nënvizuar se deri tani është vlerësuar dëmi për 392 banesa.
“Fatmirësisht dëmet nuk rezultojnë shumë serioze dhe janë të riparueshme”, shtoi Konja.
Qeveria ka deklaruar se banorët e shtëpive të pabanuara mund të strehohen edhe në shtëpi me qira, dhe sipas tij,Ministria e Brendshme do t’i ndihmojë financiarisht ata. Ndërkohë, nga dita e rënies së tërmetit, qeveria ka shpërndarë 3.2 tonë ushqime për banorët e dëmtuar për të përballuar situatën emergjente.
Tërmeti i fortë që goditi disa zona të qarkut Dibër mesnatën e 6 shtatorit shkaktoi dëme materiale në disa fshatra, por jo viktima në njerëz. Më të dëmtuara nga ky tërmet rezultojnë komunat Gjoricë, epiqendra e tërmetit, Shupenzë, etj.
Situata e krijuar u ndoq nga afër nga autoritete të larta të shtetit, mes të cilëve dhe Kryeministri Sali Berisha, i cili garantoi banorët se do të mbështeten maksimalisht për kapërcimin e kësaj situate, sikurse do të dëmshpërblehen pas vlerësimit të dëmeve nga grupet e punës