S’ju lë kush parlamentarë, pa vënë Ramën kryetar
Deputetët socialistë duan të hyjnë në parlament, por Rama kërkon të rizgjidhet kryetar. Elektorati i majtë pret liberalizimin e vizave, kurse mbështetësit e Ramës duan Ali Babánë në krye. Kuvendi pret opozitën në sallë, ndërkohë që kjo është në kërkim të vetes. Mbështetësit e hallexhinjve janë kundër bojkotit, milionerët presin plotësimin e “kushteve”. P.S.-ja duket e çoroditur. Elektorati i saj nuk di kush e drejton, kurse kryesia kërkon në “bazë” elektoratin e vet. Sovrani e caktoi fituesin, kurse Rama nuk e pranon humbjen. Presidenti po dekreton qeverínë, bojkotuesit presin rinumërimin e votave. Bota çmon standartet e zgjedhjeve, çeta e Ramës nuk njeh rezultatin e tyre. Procesin zgjedhor e mbyllën institucionet dhe po kërkojnë ta hapin ithtarët e Ramës. Me fjalë drejtuesit socialistë shfaqen proeuropianë, me vepra i largohen Europës. Shumë deputetë socialistë kanë marrë vërrejtje në kartën e regjistrimit, ngaqë janë parë të pijnë káfe pranë Kuvendit. Për këtë sabotim janë bërë mbledhje të kryesisë, por endé nuk janë shpallur armiq. Jo të gjithë deputetët e kanë kuptuar pse s’u lejohet të hyjnë në parlament. Kur shohin nga larg ndonjë zgjedhës, ata i largohen, sikur t’i kenë ndonjë borxh të pashlyer. Të gjithë deputetët socialistë po zbatojnë vendimin për bojkot, pa e kuptuar përse është marrë. “Lufta” për plotësimin e kushteve po zhvillohet me konferenca shtypi. Ndonëse “bombardimi” me artileri i ka konsumuar argumentet, asnjë deputet nuk kupton thelbin e shmangies nga beteja. U zgjodhën t’i shërbejnë elektoratit dhe po mbahen peng i një njeriu. Kryetari në detyrë po tenton të legalizohet. Misionari altruist ka dalë sheshit egoist i sëmurë. Deputetët i caktoi si dishepuj dhe po i trajton si mercenarë. Ndoshta prandaj pëshpërisin sikur bojkoti është presion ndaj strukturave të P.S.-së. Prandaj thonë dhe që nuk të lë njeri të shkosh parlamentar, pa dalë Rama kryetar. Ndërkohë 26 shtatori po afron. Të gjithë duaxhinjtë e Ramës po stërviten të ngrejnë të dyja duart për rizgjedhjen e tij. Ky i fundit ka marrë si shoqërues në fushatë kandidatin e dytë. Garën e deklarojnë të ashpër, ndonëse nuk ballafaqohen si të kundërt. Ndërkohë, meqë s’ka ç’t’u thotë zgjedhësve, Rama shkon të shajë qeverinë në zonën e tërmetit. Lotët e krokodilit nuk i janë shterur. Nuk mbushet barku i fukarait me pshehrëtima mëshire. Deputetët socialistë i mban gjallë shpresa që Rama të rizgjidhet kryetar. Por ka zëra që këtë fitore e barazojnë me epilogun e P.S.-së. Cilën parti të përfaqësojnë atëherë parlamentarët socialistë, nëse partia mbetet si kokoshi një thelë ? Disa prej tyre janë penduar që pranuan të kandidonin për deputetë. Po sikur P.S.-ja të mbetet pa elektorat? Kë do të përfaqësojnë këta në parlament ? Thonë që nuk mund të ketë deputet pa patur elektorat. Dhe P.S.-ja rrezikon të mbetet fillikat. Por shumica besojnë se Rama që humbi zgjedhjet, do ta fitojë partinë. Ndaj shumë deputetë socialistë ngushëllohen me faktin se do të përfaqësojnë në Kuvend, të paktën, vetë Ramën. Fundi, ai i zgjodhi! Atij i takon e drejta t’i komandojë. Mirë thoshte “qoftëlargu” për Shqipërinë, që nuk ishte han me dy porta, ku mund të hynte derri dhe dosa me “b....” dhe pa “b....”. Kështu përligjet dhe bojkoti i parlamentit. A nuk është ky akt një lloj izolimi nga bota ? Si u shkoka në kuvend pa zgjedhur më parë kryetarin ? Rama gjezdis me “lakrorin” t’u mbushë mendjen socialistëve të bazës se duhen rinumëruar kutitë e votimit. Duhet futur O.S.B.E.-ja në komision parlamentar. Kjo është kënga e shkeljes së Statutit të partisë nga kryetari. Ky avaz mbyllet vetëm me rizgjedhjen e tij. Mandatet e deputetëve do të njihen nga partia mbas 26 shtatorit. Nëse Rama nuk zgjidhet kryetar, deputetët e caktuar prej tij, lypset t’i dorëzojnë mandatet tek komisioni i Statutit të P.S.-së. Por kjo nuk mund të ndodhë. Rama i ka bërë hesapet me miliarderët. Nuk i duhet hesapi me hanxhinë. Sovrani nuk arriti t’ia kuptonte filozofinë enveriste të “partisë së të gjithë popullit” prapa sloganit “Përtej së majtës e së djathtës”.
Megjithatë, deputetët socialistë janë prekur në sedër. Ata nuk janë “zagarë”, që t’i nxjerrin Ramës lepurin në shteg. Nuk janë as sekserë, që t’i mbledhin fitimet e lejeve të ndërtimit. As duartrokitës të një salle me kongresmenë, që nuk e dinë përse janë mbledhur. Si deputetë ata kanë detyrim ndaj votuesve socialistë, të cilët presin kontributin e tyre në liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në B.E. Nuk don t’ia dijë elektorati për ambiciet e Ramës me shokë. Ai thotë :”Të rrojë manastiri ( partía ), se kallogjerë gjen plot!”. Kurse deputetët socialistë nuk do t’ia falin Ramës që po tenton t’i bëjë mish për top. Rama e di mirë që zgjedhjet i humbi për fajin e tij. Me ç’dinjitet do të hyjnë “baballarët e kombit” në kuvend ditën që Rama të rizgjidhet kryetar ? Me krenarinë që t’u bien bilbilëve dhe daulleve ? Me këtë imazh do të fitojë P.S.-ja në zgjedhjet e ardhshme ? Por thonë që sovrani e zë lepurin me qerre. Edhe po doli Rama nga “çarku” ku futi veten, Sovrani herën tjetër ka për ta lënë vetëm me votën e tij. Po thotë që diktatorët edhe vetëm e mbajnë të ngritur partinë. Po të jetë kështu, deputetët lypset të mendohen mirë për integritetin e tyre moral !...