E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosoves Plani per ndarjen e vendit i rrezikshem

Qeveria e Kosovës reagon ndaj propozimit të zëvendëskryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç për ndarjen e Kosovës, duke e quajtur atë të papranueshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit. Në emër të qeverisë kosovare zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, tha se logjika e ndarjes nuk përfundon vetëm me Kosovën, pasi  do të prekte edhe vendet tjera.

 “Kam menduar se nuk është si Millosheviçi, se ka ndryshuar nga koha e tij, por jo ky po shihet se është i njëjti. Kosova nuk është kontribuese në asnjë proces që prodhon kriza të reja. Logjika e ndarjeve në këtë rajon ka dërguar në logjikën e luftës, në luftërat dhe gjenocidet e shkaktuara nga Serbia”- tha Kuqi.

Zëvendëskryeministri serb Daçiç  ka deklaruar më herët se nuk është reale që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe se ndarja është zgjidhje e problemit të statusit. Por Kuqi tha se Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë vetëm si dy shtete të pavarura. Sipas tij, për çdo marrëveshje eventuale do të vendoset vetëm nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës.

“Çdo marrëveshje eventuale do të kthehet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës sipas procedurave të parapara me Kushtetutë”-tha ai.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj, ka caktuar 541 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›