Qeveria e integrimit euroatlantik
Qeveria e kryesuar nga z. Sali Berisha është ajo e integrimit euroatlantik. Anëtarësimi në NATO dhe BE janë objektivat madhore të qeverisë “Berisha”. Në këtë rrugëtim të vështirë, Shqipëria do të përballej me sfida aspak të lehta. Por pas 100-ditëshit të parë të qeverisë do të merreshin vlerësimet e para nga Brukseli. Reformat e ndërmarra në dhjetë muaj qeverisjeje e bindën Evropën të nënshkruante Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 12 qershor 2006. Në vitin 2007 u negociua dhe u nënshkrua Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave (përfshirë edhe me Danimarkën, Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën). Ajo është në zbatim që prej 1 janarit 2008. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO më 3 prill 2008 dhe anëtarësimi zyrtar me 4 prill 2009, ishte realizimi i një ëndrre për shqiptarët. Më 1 prill 2009 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Ngritja e strukturave të reja si Këshilli i Stabilizim-Asociimit e Komiteti i STA-s, shënojnë një fazë tjetër drejt integrimit evropian. Gjithashtu, më 28 prill 2009 Shqipëria paraqiti kërkesën për statusin e vendit kandidat, hap i cili dëshmon edhe njëherë se ky proces është një proces i pandalshëm për Shqipërinë dhe se qeveria shqiptare është e vendosur për të respektuar angazhimin e saj të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.