Të tërhequrit; KQZ-ja mbyll “derën” për ndryshime në listë
Kandidatët që tërhiqen nga lista, nuk mund të zëvendësohen më, kjo, pasi Kodi Zgjedhor nuk e lejon. Disa parti të majta kanë kërkuar të bëjnë zëvendësime, si Lëvizja Socialiste për Integrim së cilës iu tërhoqën kandidatët në Lushnjë, por KQZ-ja nuk ka pranuar të rishqyrtojë propozime të reja, pasi tashmë rishqyrtimi i tyre ka mbaruar ligjërisht. Mund të ndodhë që ndonjë të zgjidhet deputet edhe pse tërhiqet nga gara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur procedurën ligjore të shqyrtimit të listave për deputetë, duke bërë të pamundur ndryshimin e listave nga ana e partive. Kodi Zgjedhor përcakton se pas shqyrtimit dhe miratimit nga KQZ-ja të listave shumemërore, ato nuk mund të ndryshojnë më. Por gjithnjë në rast të një precedenti, kur një kandidat i miratuar për shumë arsye mund të tërhiqet nga gara, ligjërisht ndryshimi i tij është i pamundur. Precedenti ka ndodhur me Lëvizjen Socialiste për Integrim e cila ka depozituar një kërkesë për zëvendësimin e kandidates Rudina Jupe në qarkun e Fierit e cila u tërhoq nga LSI-ja. Por KQZ-ja nuk ka pranuar të shqyrtojë këtë ndryshim pasi shqyrtimi i listave është mbyllur. Duket se tashmë, tërheqja e kandidatëve nuk ka më vlerë pasi edhe pse të japë publikisht dorëheqjen, ai do të jetë në listën e partisë. Edhe pse i tërhequr, kandidati mund të fitojë mandatin e deputetit. Nga kjo lojë duket se është tërhequr edhe LSI-ja pasi kandidatja në fjalë ishte nga fundi i listës ku nuk pretendohet për t’u zgjedhur, por në rast se tërheqja e kandidatit do të ishte nga fillimi i listës, atëherë mund të ndodhte ndonjë precedent që të zgjidheshin deputetë pa dëshirë.
Nga ky proces janë tërhequr edhe disa parti të tjera, si PDS dhe PSD, të cilat kërkuan të bëjnë secila nga një ndryshim përkatës për kuotën e 30-përqindëshit. Mësohet se disa parti që kërkuan të bëjnë ndryshime, u tërhoqën, pasi KQZ-ja nuk pranoi të bëhen më ndryshime. Vendimi i KQZ-së është shpjeguar me kërkesat që vijnë nga Kodi Zgjedhor i cili të kushtëzon nga që bën neni 73, pika 4 e Kodit Zgjedhor, ku është përcaktuar se, “emrat në listat shumemërore dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ-së”.
Arsyeja e këtij neni në Kodin Zgjedhor, shpjegohet me faktin e seriozitetit të procesit. Në rast se do të kishte dorë të lirë në ndryshimin e listave, partitë mund të prishnin procesin si dhe mund të ishin jo transparente, pasi do të mund të ndryshonin listat kur t’u tekej atyre. Një gjë e tillë mund të komprometonte procesin ndërsa burime pranë KQZ-së shprehen se partitë kanë pasur kohën e duhur për të gjetur kandidatë të përshtatshëm dhe besnikë të cilët pranonin të kandidonin dhe jo të tërhiqeshin. Duke i qëndruar këtij parimi, mund të ketë edhe kandidatë që dalin në publik dhe deklarojnë tërheqje nga gara, por në rast se partia merr votat e duhura, ai mund të marrë mandatin e deputetit.