E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pensione dhe paga me standardet e Bashkimit Evropian

“Zgjedhjet e 28 qershorit janë prova jonë”

“Viti 2010, shqiptarët pa viza në Evropë”

* * * *

Kryeministri Sali Berisha u premton shqiptarëve pensione dhe paga me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian. Berisha i ftoi ata që të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit dhe të votojnë mandatin e dytë të qeverisë së PD-së, sepse kështu votojnë për anëtarësimin në BE. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës në Komunën Dushk dhe rrugës së fshatit Sulzotaj, në Komunën e Tërbufit në Qarkun e Lushnjës, foli për projektet e ardhshme të qeverisë, duke u fokusuar tek infrastruktura rrugore dhe rritja e pagave dhe pensioneve. Kryeministri përmendi sukseset e qeverisë në luftën antikrim dhe antikorrupsion dhe vuri theksin tek shtrimi i katër mijë kilometrave rrugë në mbarë vendin. Kurse tani, - shtoi ai, - do të ndërtojmë dhe asfaltojmë çdo rrugë në çdo fshat të këtij vendi, do të çojmë ujë në çdo shtëpi në çdo fshat të këtij vendi, shkollat do të barazohen me ato të qytetit në çdo komunë dhe lokalitet, ne e bëjmë sepse kemi një bazë tjetër. Berisha siguroi se qeveria e tij do të çojë ujin në çdo shtëpi, pensionet e fshatit do arrijnë ato të qytetit dhe sigurinë se pas katër vitesh do të kenë një pension të barabartë me fermerët e së paku 6 vendeve të Bashkimit Evropian. “Evropë do të thotë mirësi, do të thotë ujë 24 orë, do të thotë drita 24 orë, do të thotë rrugë të asfaltuara, do të thotë pensione dinjitoze, do të thotë shkolla me internet dhe moderne. Evropa nuk është një fjalë abstrakte, jo. Ndaj dhe ne kemi shpallur për katër vitet që vijnë Dushk evropian, Lushnje evropiane, Myzeqe evropiane, Shqipëri evropiane”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të pajisen me kartat e identitetit, duke u kujtuar se këto zgjedhje janë prova jonë. Berisha i garantoi se kartat do të kenë shumë përdorime të dobishme jo vetëm për zgjedhjet për të votuar, por për të gjitha shërbimet e tyre jetësore. “Ne, së bashku u anëtarësuam në NATO, së bashku aplikuam për t’u bërë anëtar të Bashkimit Evropian, së bashku absolutisht në vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizim pa viza në gjithë Evropën”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri inauguroi dje edhe rikonstruksionin e rrugës të fshatit Sulzotaj, në Komunën e Tërbufit në Qarkun e Lushnjës. Në këtë komunë në katër vitet e qeverisjes demokratike është realizuar rikonstruksioni i pesë rrugëve të reja me një vlerë totale rreth 79 milionë lekësh. Berisha u bëri të ditur banorëve të kësaj komune se para së gjithash është një zhvillim i vendit me disa standarde, të cilat ata do t’i gëzojnë me rrugë të mira, ujë të pijshëm, drita, paga të larta dhe pensioneve të dyfishuara. “Ne ju kemi faktuar dhe do t’ju faktojmë, më shumë mbështetje për prodhimet tuaja, përveç grantit, të cilin ne do ta pesëfishojmë, përveç projektit të ullirit, i cili është më i madhi i ndërmarrë në bujqësi ndonjëherë, ne do ju garantojmë vaditjen, të cilën ju do ta menaxhoni me komunën dhe me veten tuaj. Ne ju garantojmë kullimin, por ne do të kalojmë në një etapë të dytë. Etapa e re e subvencionit për ju, e inputeve edhe i naftës”, - deklaroi ai. Berisha vijoi më tej se “bashkërisht ne do të ulemi do gjejmë mënyrën pa korrupsion, sepse është 100 herë më mirë të mos japësh 1 qindarkë sesa të japësh 1000 dhe të t’i marrin hajdutët. Prandaj dhe ne investuam në fshatin shqiptar 1.6 miliard dollarë në katër vite, më shumë se në 15 vite të marra së bashku”. Kryeministri i garantoi ata se në tre vitet që do të vijnë, qeveria e tij do të investojë për ta 3 herë më shumë, për fëmijët e tyre, për prodhimet e tyre, për rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, vaditjen, mbrojtjen e tokës.

Basha në Elbasan: Legalizim të gjitha shtëpive

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, e konsideroi dje politikën e re të Edi Ramës si rikthim tek byroja politike dhe pinjollët e saj. Basha u takua me banorë të lagjes “5 Maj” në Elbasan dhe banorë të Komunës Qendër në Librazhd. Ministri Basha u premtoi banorëve të lagjes “5 Maj” në Elbasan, e njohur si zonë informale se, në pak muaj, të gjithë do të kenë dokumentet e legalizimit të shtëpive të tyre, duke mbajtur kështu një tjetër premtim të dhënë nga mazhoranca. “Brenda një kohe shumë të shkurtër do t’i japim fund procesit të legalizimit të shtëpive dhe çdo familjeje t’i japim tapitë për pronën e tyre. “Politika e re” e Edi Ramës është rikthimi i byrosë politike dhe pinjollëve të saj”, - deklaroi z. Basha. Në Komunën Qendër të Librazhdit, ministri Basha vuri në dukje se 9 hidrocentrale janë projektuar për t’u ndërtuar në këtë zonë dhe përreth saj, duke rritur ndjeshëm punësimin. Basha pohoi se “ky investim me një vlerë prej 15 milionë eurosh ka kapacitetin për të punësuar 2000 deri 2500 banorë të kësaj zone”. Vetëm në Komunën Qendër qeveria ka investuar, në 2 vjet, 200 milionë lekë në rrugë, ujësjellës e kanalizime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›