Siguria, Shqipëria do të dërgojë ushtarë në Kosovë
Shqipëria do të dërgojë ushtarë në Kosovë, ndërkohë që kosovarët do të studiojnë në shkollën ushtarake në Tiranë. Ministri i Sigurisë Kombëtare të Kosovës, Fehmi Mujota, u prit dje nga drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa. Gjatë takimeve u ra dakord që Shqipëria të ndihmojë Kosovën e pavarur me ushtarakët e saj.
Gjatë takimit me ministrin Oketa, me ftesë të të cilit Mujota mbërriti në Tiranë, u bisedua lidhur me të gjitha mundësitë e bashkëpunimit dypalësh, reformat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me rrugën që Shqipëria ka ndjekur deri në anëtarësimin e plotë në NATO, u diskutua për Forcën e Sigurisë së Kosovës, procesin që po kalon kjo forcë, si dhe për situatën e sigurisë në rajon. Ministrat Oketa dhe Mujota e konsideruan të rëndësishëm, jo vetëm në planin patriotik, por të gjithanshëm, përfundimin e rrugës Durrës-Morinë, si element për një bashkëpunim më të ngushtë. Kurse gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, ky i fundit vuri në dukje progresin e madh që ka bërë Kosova, që nga shpallja e pavarësisë, dhe theksoi se ndryshe nga skeptikët, Kosova ka provuar se është në gjendje të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj. Kryeministri Berisha, ndër të tjera shprehu besimin se do të intensifikohej edhe më tej procesi i njohjes së pavarësisë. Duke vlerësuar arritjet në zhvillimin e disa prej sektorëve të rëndësishëm për vendin, Kryeministri Berisha theksoi se mbetet ende punë për të bërë, në drejtim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së punësimit. "Të gjitha perspektivat për të dy shtetet dhe të gjitha vendet e rajonit janë hapur, e konsiderojmë si një rrugë të rëndësisë së jashtëzakonshme, pa dashur të shpreh as emocionin, e as një çështje tjetër, po vërtet nevojat praktike dhe lidhjet e natyrshme që ekzistojnë në këtë rajon. Prandaj Shqipëria dhe Kosova po shkurtojnë rrugët e bashkëpunimit edhe në aspektin figurativ. Kosova tashmë ka dhënë shumë për ecjen përpara në aspektin e sigurisë, po besoj se ne do të jemi në gjendje të ofrojmë të gjitha kapacitetet tona në kuptimin më pozitiv të mundshëm. Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë një forcë e cila ka vërtet kapacitete të mirëfillta që do të ndërtohen nga fillimi mbi bazën e asaj që quhet progresive, që quhet profesionale. Prandaj në këtë aspekt, vetëm sa do të kemi lajme të mira", - tha z. Mujota.