E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria, thirrje shtetasve pa pasaportë që të aplikojnë



Marrëveshja e re mes qeverisë dhe firmës private që prodhon kartat e identitetit, që pas datës 30 maj të aplikojnë vetëm shtetasit pa pasaportë, pritet që t’i japë hapësirën e nevojshme kësaj kategorie që të aplikojë për karta. Ndërkohë që opozita vazhdon të shqetësohet për numrin e shtetasve që s’kanë pasaportë, ministria ka thënë dje se me marrëveshjen e re të gjitha mundësitë janë që numri i atyre që kanë mbetur pa aplikuar të zvogëlohet. Ministri Bujar Nishani nëpërmjet një deklarate për shtyp u ka bërë thirrje gjithë shtetasve shqiptarë që s’kanë pasaportë dhe ndodhen brenda vendit, që të aplikojnë brenda kësaj periudhe. “Opozita ka pretenduar gjatë gjithë kohës se duhet të aplikojnë nga grupi i atyre pa pasaporte rreth 500.000 shtetas, të cilët llogariten të jenë në Shqipëri. Me rregullin e ri që vendosëm me koncensionarin dhe bazuar në kapacitetet reale që kemi në terren, sigurohet pajisja edhe e rreth 400.000 shtetasve të tjerë deri në mesin e muajit qershor, me kushtin e vetëm që ata të jenë në Shqipëri dhe të paraqiten për të aplikuar”, - thuhet në këtë deklaratë. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë të gjitha kushtet që çdo qytetar që nuk ka pasaportë dhe është në Shqipëri të pajiset me letërnjoftimin elektronik. Ndërkohë po dje kjo ministri ka nxjerrë të dhënat e fundit për procesin, ku rezulton se kanë aplikuar 1.132.806 shtetas për letërnjoftimet elektronike dhe janë prodhuar 990.962 të tilla. Nga aplikimet e bëra janë hedhur në sistemin e kontrollit 1.013.359 aplikime, nga të cilat rezulton se 420.000 janë pa pasaportë, numër i cili po t’i referohemi totalit të aplikimeve të deritanishme e kalon shifrën 450.000.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›