PS, e pakënaqur nga procesi, kërkon listën e 1 milion votuesve
Partia Socialiste vazhdon të insistojë në problemet që ka procesi i pajisjes me karta identiteti. Fokusi kryesor i saj deri më tani ka qenë kategoria e shtetasve pa pasaportë, por tashmë ajo kërkon nga Ministria e Brendshme emrat e afro 1 milion personave që kanë aplikuar për marrjen e kartës së identitetit. Ndërkohë PS fajëson ministrinë, duke e cilësuar të padrejtë kategorizimin si emigracion i paligjshëm i afro 260 mijë personave, të cilët nuk kanë pasaportë dhe nuk kanë aplikuar ende për kartë identiteti. PS vëren se Ministria e Brendshme ka qenë e pasaktë në shifrën e votuesve pa pasaportë, ndërkohë që sipas saj, shifra është më e lartë. Vetë PS i jep ministrisë informacionet e saj të mbledhura në terren, duke treguar sipas saj, problematikën që po has ky proces. “Situata e aplikimeve, ndryshe nga deklaratat e MB-së, paraqitet tepër problematike e shqetësuese në qarqet Kukës (mbeten pa aplikuar rreth 70 për qind e votuesve pa pasaportë); Dibër (mbeten pa aplikuar rreth 60 për qind e votuesve pa pasaportë), Shkodër (mbeten pa aplikuar rreth 59 për qind e votuesve pa pasaportë) dhe Lezhë (mbeten pa aplikuar rreth 54 për qind e votuesve pa pasaportë). Gjithashtu, në 12 rrethe niveli i aplikimeve është nën 50 për qind, konkretisht në rrethet Dibër, Burrel, Bulqizë, Krujë, Kukës, Has, Tropojë, Lezhë, Mirditë, Shkodër, Pukë, Malësi e Madhe”, - thotë PS. Në letrën e fundit të Kastriot Islamit dërguar ministrit Bujar Nishani, thuhet se “PS kërkon informacione, si dhe opsionet e zgjidhjes për shqetësimet e lartpërmendura dhe thotë se në themel të qëndrimit të saj në vijimësi në lidhje me procesin zgjedhor do të jetë analiza e këtyre informacioneve dhe vlerësimet përkatëse”.