E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, kokë më kokë me Gjinushin

Kryetari i Partisë Social Demokrate mbështet idenë e bojkotit të Parlamentit si një kundërpërgjigje e mirë. Një ditë pas marrëveshjes Berisha-Meta, kreu i PS, Edi Rama, zhvilloi një takim me Skënder Gjinushin duke pasur si objekt të bisedës çështjen e krijimit të një fronti të bashkuar opozitar.

"Me një Parlament me demokraci të cenuar dhe cunguar, të dalë nga zgjedhje jo të ligjshme dhe jo të standardeve patjetër që bojkoti është veprimi i parë. Nuk mjafton vetëm bojkoti, patjetër që ne na takon roli që ky vend të kthehet në një vend normal", u shpreh Skënder Gjinushi, kreu i PSD. Kryetari i Socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, njoftoi gjithashtu krijimin e një fronti të majtë kundrejt qeverisjes së re, të cilën nuk humbi rastin ta ironizojë. "Ilir Meta bën pazar me Sali Berishën për të mbajtur gjallë korrupsionin. Është një marrëveshje sipas etiketimit të bërë nga vetë dy protagonistët, të Sali Gërdecit me Ilir Floririn. Mjaftojnë këto etiketime për të kuptuar moralin e kësaj marrëveshjeje. Ne shohim që ndërkohë që bërtet për deformim, merr dhe shet në treg të hapur tek e djathta", tha ai.
Kreu socialdemokrat nuk mundi të përfaqësohet në Parlament në këtë legjislaturë dhe më parë akuzoi PS se punoi kundër aleatëve për të arritur fitoren e saj. Megjithëse qëndrimi i saj mbetet pro selisë rozë në të gjitha aksionet opozitare, edhe pse jashtë Parlamentit. Ndërsa një tjetër aleat, kreu i PDS-së, Paskal Milo, është shprehur kritik ndaj kësaj partie pa sqaruar se cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i saj karshi partisë më të madhe të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›