E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, në pritje të firmës presidenciale



Pasdite mblidhet seanca e radhës, e cila miraton qeverinë e re të koalicionit mes Partisë Demokratike dhe asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mbledhja e seancës së pasdites varet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Emrat e 15 ministrave janë dërguar në Presidencë dhe pritet që paraditen e sotme emrat e tyre të nisen në Kuvend me miratimin e kreut të shtetit. Kushtetuta në nenin 98 të saj përcakton se “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Më pas, në pikën dy të këtij neni thuhet se “dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”. Afatet maksimale që parashikon Kushtetuta mund të përmbyllen që pasditen e sotme, duke i dhënë jetë qeverisë së re të koalicionit. Gjithsesi, qeveria e re merr jetë vetëm pas betimit të të gjithë ministrave para Presidentit. Në rast se votimi i qeverisë bëhet sot, betimi mund të bëhet që ditën e nesërme paradite dhe pas fotos zyrtare të qeverisë së re, ajo menjëherë nis detyrën. Ashtu siç është bërë traditë, ministrat e rinj të sapobetuar nisen me këmbë deri në zyrat e Kryeministrisë, ku bëjnë edhe mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit.

Një tjetër aspekt është edhe miratimi i programit të qeverisë për katër vitet në vijim. Një hap i tillë mund të bëhet edhe ditën e enjte për shkak të volumit të tij, por mund të shkojë edhe sot në Kuvend së bashku me qeverinë e re. Mësohet se Kryeministri Sali Berisha prej disa ditësh është duke u konsultuar për programin me shumë prej këshilltarëve të tij, si dhe me aleatët e tij të rinj. Programi i ri do të përmbajë të detajuar të gjithë punën katërvjeçare, që do të kryejë qeveria në vijim. Në këtë program do të unifikohen prioritetet mes PD-së dhe LSI-së. Mësohet se infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe më shumë shërbime sociale do të jenë prioritetet e kësaj qeverie. Njëkohësisht do të jetë me prioritet liberalizimi i vizave, marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian, si dhe realizimin e shumë reformave të reja, por edhe ato që janë duke u zbatuar.

Ndryshe nga viti 2005, opozita do të mungojë në Kuvend për shkak të bojkotit që ajo ka paralajmëruar. Një pjesë e deputetëve të opozitës socialiste kërkojnë me ngulm rikthimin në Kuvend si të vetmen mënyrë për të kontrolluar qeverinë e re. Sipas tyre, mungesa e opozitës në Kuvend do të forcojë pozitat e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›