Shpenzimet e fushatës, 65 ekspertë në garë për t’i hetuar
Shpenzimet e fushatës së 29 qershorit do të hetohen nga ekspertë të pavarur. Në bazë të kushteve që përcakton Kodi Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hedhë sot shortin për përzgjedhjen e një grupi ekspertësh kontabël, të cilët do të hetojnë burimin e gjithë shpenzimeve. Rreth 65 ekspertë kontabël janë regjistruar në KQZ, të cilët do të jenë pjesë e shortit. Për rreth një muaj, ekspertët kontabël do të “konfiskojnë” regjistrat financiarë të partive politike, do të kontrollojnë llogaritë bankare, si dhe do të bëjnë një bilanc të shpenzimeve në fushatë, gjithnjë duke bërë një krahasim mes burimeve zyrtare të deklaruara dhe shpenzimeve reale të përdorura në fushatë. Në lidhje me këtë çështje ka pasur një mungesë transparence në tërësi nga partitë për fondet e tyre. Gjithsesi, kodi parashikon një hetim të shpenzimeve dhe ekspertët do të kenë një muaj kohë për të dhënë një përgjigje në lidhje me fondet e fushatës. Në kod parashikohen detyrime si dhe sanksione në rast të shkeljes së tij. Në muajin tetor do të ketë një raport final për shpenzimet e politikës në fushatën e fundit.
Financimet jopublike
Financimet nga bizneset dhe individët për partitë politike, do të jetë pjesa më delikate e raportit. Kodi ka parashikuar detyrime të shumta. Çdo parti duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 89 të këtij kodi dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së.
Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87 të këtij kodi. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk
duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 87 të këtij kodi.
Auditimi
Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, sipas këtij kodi. KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.
Financat e partive, monitorim edhe nga shoqëria civile
Financat e 5 partive kryesore në vend, PD, PS, LSI, PR dhe G99, monitorohen nga disa organizata jofitimprurëse, të cilat priten të nxjerrin së shpejti raportet e tyre. Me qëllimin për të ndihmuar në rritjen e transparencës në financimin jopublik të subjekteve politike, me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy) dhe Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros, organizatat Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) kanë ndërmarrë një nismë për të monitoruar shpenzimet e pesë partive politike, që zotërojnë tregun më të madh politik. Ky projekt është kryer për herë të parë dhe ka monitoruar reklamat publike, televizive, si dhe tubimet elektorale. Gjatë këtij studimi janë përdorur metoda të ndryshme monitorimi, përfshi dhe ato investigative, për të dokumentuar shpenzimet elektorale të partive politike. Këto të dhëna, në fund do të bashkohen dhe do të krahasohen me fondet që partitë deklarojnë se kanë përfituar nga buxheti i shtetit dhe donatorët privatë. Objektivi i këtij studimi nuk është vetëm të identifikojë shumat reale që këto parti politike shpenzojnë, por edhe të krijojë një presion publik mbi politikën dhe strukturat shtetërore, që të ketë një rregullim dhe monitorim më të saktë të financimit të partive politike.
Partitë e vogla, detyrim për të kthyer 127 milionë lekë
Ndërsa afati ka kaluar, asnjë prej 5 partive të vogla ish-parlamentare nuk kanë kthyer fondet që kanë marrë nga buxheti i shtetit për fushatën elektorale. Bëhet fjalë për 12.7 milionë lekë të reja që partitë kanë marrë, por që nuk morën deputetë në Parlament dhe duhet t’i kishin kthyer ato që më datë 31 gusht. Në rast se këto fonde nuk kthehen, ato rrezikohen të përballen me sanksione. “Në rast se nuk i kthejnë këto fonde, atëherë nuk do të marrin financim më nga buxheti i shtetit për pesë vitet e ardhshme, por dhe nuk do të lejohen të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se sipas ligjit nuk do të kthejnë këto fondet, të cilat janë marrë dhe janë të detyruara t’i kthejnë”, - është shprehur Arben Ristani. Partitë debitore janë Aleanca Demokratike, Partia Socialdemokrate, Partia Demokracia Socialiste, Partia Agrare Ambientaliste dhe PBLSH.
Hetim edhe bamirësve të partive politike
Hetimi mbi fondet e partive politike dhe donacionet do të prekë edhe individët apo bizneset që janë treguar bamirës, duke financuar fushatat e tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, një qytetar nuk mund të dhurojë më shumë se 100 mijë lekë të reja për një subjekt politik. “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së”, - thuhet në Kodin Zgjedhor. Njëkohësisht partitë mund të financohen edhe nga biznese, por me disa kushte. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme si: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, ushtron veprimtari në fushën e medias, ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme, ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.