Tërmeti, Minxhozi akuza për neglizhencë, reagon ministria
Deputeti i Qarkut të Dibrës, Qemal Minxhozi, deklaroi se qeveria nuk ka dërguar në terren ndihmën e premtuar për banorët e prekur nga tërmeti në zonën e Dibrës. “Thuhet se në terren janë dërguar 400 çadra. Kjo nuk është e vërtetë. Maksimumi janë dërguar vetëm 10% e tyre, ndërkohë që 150 familje, përfshi këtu fëmijë, gra dhe pleq, po kalojnë natën në qiell të hapur. Edhe ato çadra duhet thënë se janë çadra verore që nuk i mbrojnë të strehuarit nga shiu. Përpara 2 kg fasule, makarona apo oriz, njerëzit në këto zona po kërkojnë bazë materiale për të rindërtuar shtëpitë e tyre”, - tha Minxhozi. Ai bëri përgjegjës shtetin për neglizhencë dhe kërkoi ndihmë të shpejtë për banorët dhe rindërtimin e jetës së tyre. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, që nëpërmjet zëdhënësit Fatmir Konja tha se “ndërhyrja e qeverisë, pas situatës së krijuar në qarkun e Dibrës si pasojë e tërmetit që goditi këtë zonë një javë më parë, ka qenë e shpejtë dhe efikase”. “292 çadra janë shpërndarë për banorët, shtëpitë e të cilëve janë konsideruar të pabanueshme në komunat Shupenzë, Gjoricë, Zerqan, Ostren dhe Maqellarë. Ndërkohë, 65 çadra janë në gjendje në Komunën Shupenzë”, - tha Konja.