E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama përplaset me bazën e Shkodrës



Ndryshe nga njoftimet për shtyp të Partisë Socialiste apo kronikave televizive të vetëmontuara, baza socialiste e Shkodrës ka kërkuar nga Edi Rama shpjegime për humbjen e zgjedhjeve. Së bashku me Maqo Lakrorin, Rama ka qenë në Shkodër e Lezhë, ku është përballur me kritika të shumta nga baza. Anëtarë të thjeshtë të PS-së kanë pyetur Ramën se pse nuk ndodhen në pushtet, ndërsa përgjigjja ndaj tyre ka qenë një triumf në statistikë. “Partia Socialiste ka dalë forca e parë në zgjedhjet e 28 qershorit”, - është përgjigjur Rama, duke mos pranuar komente nga anëtarët e thjeshtë, ndërsa kundërpërgjigjja e tyre ishte se “PS tërë jetën ka qenë forca e parë”. Baza socialiste e Shkodrës ka kërkuar shpjegime të shumta nga kryetari në detyrë. Mbi të gjitha, ata i kanë kujtuar Ramës se nuk janë në pushtet. Rama është mbrojtur, duke argumentuar se ka pasur një operacion për vjedhjen e votës. Por anëtarët kanë kërkuar të dinë më shumë në lidhje me këtë operacion. Ata kanë kujtuar se gjysma e administratës zgjedhore ka qenë e PS-së. Anëtarët kanë kërkuar edhe një program, si dhe për mungesën e kryetarit të PS-së së Shkodrës në sallë, Edip Shiroka. “Unë mendoj se e majta po s’u bashkua, nuk do të fitojë asnjëherë pushtetin lokal dhe atë qendror. Ende nuk e dimë pse kemi humbur zgjedhjet. A mund ta dimë si janë vjedhur votat, sepse 50 për qind e komisioneve në të gjithë vendin kanë qenë të Partisë Socialistë? Kush i vodhi votat? Vetë komisionarët socialistë?”, - ishte konstatimi dhe pyetja e një anëtari të PS-së, bërë Edi Ramës, ndërsa ky u përgjigj duke thënë: “Kjo është nuk e vërtetë, sepse Partia Socialiste ka dalë forca e parë në zgjedhjet e 28 qershorit”. Një tjetër konstatim nga baza ka qenë humbja e thellë në veri, që sipas tyre, nuk u kompensua në jug. “Në zgjedhjet e 28 qershorit në qarqet e veriut pati një hendek prej 8 deputetësh në favor të koalicionit të Partisë Demokratike. Këto nuk u kompensuan në qarqet e tjera”, - tha një anëtar. Njëkohësisht është kërkuar llogari për mungesën e një programi të PS-së në fushatë, kriteret e bërjes së listës së deputetëve etj.

Debati me Lakrorin

Njoftimi zyrtar i ardhur nga Partia Socialiste për takimin në Shkodër përmbante vetëm pjesë të shkurtra të fjalimeve të dy kandidatëve për kryetarë partie. “Parlamenti sigurisht që është vendi ku zhvillohet debati në një demokraci normale, por ne nuk mund të lejojmë që Parlamenti të kthehet në një teatër të një demokracie që sot jo vetëm nuk është normale, por është e kërcënuar në funksionet e saj jetike. Fitorja jonë në 61% të territorit, që ka të bëjë me të gjithë zonën urbane të Shqipërisë, është një tregues kuptimplotë se operacioni i korrupsionit elektoral nuk ka funksionuar dot në qytete”, - tha Rama. Nga ana e tij, Lakrori ka kërkuar kthimin në Parlament të deputetëve socialistë, si e vetmja mënyrë për të kërkuar të drejtat mbi zgjedhjet e 28 qershorit.

Debati në Shkodër

Pyetje nga anëtarët: Unë mendoj se e majta po s’u bashkua, nuk do të fitojë asnjëherë pushtetin lokal dhe atë qendror. Ende nuk e dimë pse kemi humbur zgjedhjet. A mund ta dimë si janë vjedhur votat, sepse 50 për qind e komisioneve në të gjithë vendin kanë qenë të Partisë Socialistë? Kush i vodhi votat? Vetë komisionarët socialistë?

Edi Rama: Kjo është nuk e vërtetë, sepse Partia Socialiste ka dalë forca e parë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Nga baza: Tërë jetën o vëlla ka qenë forca e parë!

Edi Rama: Partia Socialiste nuk ka qenë forca e parë në vitin 2005.

Nga baza: E ke gabim, forca e parë ka qenë.

Edi Rama: Të lutem tani. T’u përgjigja. Rezultati është deformuar si rezultat i një operacioni manipulimi dhe korrupsioni elektoral në pjesë të caktuar të territorit.

Nga baza: A mund ta dimë programin tuaj se s’po marrim vesh, a kemi kryetar Shirokën?

Edi Rama: Të lutem shumë. Nuk je këtu për komente. Ke pyetje?

Nga baza: Të paktën na e thuaj që ta dimë dhe po ashtu të mos vijmë më.

Nga baza: Çfarë do të bëni ju për të bashkuar të gjithë faktorët e majtë, për të na sjellë në pushtet?

Nga baza: Kujt do t’i kërkoni llogari për vjedhjen e votave? Komisionarëve socialistë?

Nga baza: Në zgjedhjet e 28 qershorit në qarqet e Veriut pati një hendek prej 8 deputetësh në favor të koalicionit të Partisë Demokratike. Këto nuk u kompensuan në qarqet e tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›