Rifillon prodhimi i ferrokromit në Elbasan
Në Kompania “Albanian Chrome” rifillon në ditët e para të gushtit prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë dhe po instalon teknologji të reja për të prodhuar edhe ferrokrom me karbon të ulët në Shqipëri. Ndezja e furrave të ferrokromit e rikthen përsëri Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare, pas një ndërprerjeje disamujore që u shkaktua nga kriza ekonomike botërore dhe nga ulja e çmimit të metaleve. Uzina e ferrokromit do të prodhojë rreth 3 mijë tonë ferrokrom në muaj, gjysma nga të cilat do të jenë me karbon të ulët, një lëndë mjaft e kërkuar në tregjet ndërkombëtare. Në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan pritet që pas pak ditësh të rifillojë puna për shkrirjen e kromit. Drejtuesit e punimeve këtu në repartin e shkrirjes tregojnë se sapo janë instaluar 3 furra të reja, dy nga të cilat do të prodhojnë ferrokrom me karbon të lartë dhe e treta do të prodhojë ferrokrom me karbon të ulët, i cili është aktualisht mjaft i kërkuar në tregjet ndërkombëtare. “Furra e re që po ngrihet është e veçantë nga dy furrat e tjera në Uzinën e Ferrokromit, jo vetëm sa i takon konstruksionit të saj - ngaqë është një furrë e përkulshme - por edhe sepse në të do të përdoret një teknologji e re. Nga kjo furrë do të përftohet ferrokromi me karbon të ulët. Ferrokromi me karbon të ulët prodhohet për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta edhe në rajon, ndërsa numërohen me gishtat e dorës vendet dhe uzinat që prodhojnë këtë lloj produkti” tha drejtori i prodhimit në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, Alfred Vangjeli, për VOA. Në repartin e shkrirjes puna u ndërpre pak muaj më parë për shkak të krizës ekonomike botërore dhe për shkak të rënies së çmimit të këtyre metaleve në tregjet ndërkombëtare. Por këtë kohë kompania “Albanian Chrome” e shfrytëzoi për të instaluar një furrë të re për të prodhuar ferrokrom me karbon të ulët. “Aktualisht po bëhemi gati dhe për pak ditë do të ndezim furrën e tretë të uzinës për të prodhuar 1 mijë e 500 tonë ferrokrom me karbon të lartë në çdo muaj. Ndërsa punimet për furrën e re, që nisën në pranverë, parashikohet të përfundojnë në mesin e shtatorit dhe do të prodhohen edhe 1 mijë e 500 tonë të tjera ferrokromi me karbon të ulët, pra gjithsej 3 mijë tonë në muaj”, thekson Vangjeli. Krahas metalurgjisë së çelikut, këtu janë vendosur edhe një seri uzinash dhe reparte të shkrirjes së metaleve të veçanta si kromi. Në këto uzina dhe reparte shkarkojnë lëndët e para të gjitha minierat e Shqipërisë, prandaj edhe ndezja e këtyre furrave do të jetë edhe një nxitje tjetër për të rritur prodhimin në minierat e vendit.