E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e shërbesave funerale

Erjon Veliaj 

Meqenëse edhe të jetosh edhe të mos sëmuresh nuk është e mundur, i bie që me këtë mjekësi të sëmurë që kemi më mirë të mos lindësh fare.
E nga ta zësh mjekësinë tonë?! Nga mjeku i korruptuar? Jo, sepse ai është thjesht një nga hallkat e zinxhirit me hallka çeliku që nuk mban të lidhur dhe të rrethuar vetëm mjekësinë, por krejt Shqipërinë. Dhe disa syresh perversë nuk mund të baltosin dhe humanizmin e heroizmin e shumë mjekëve të tjerë tërësisht të përkushtuar. Ta zësh nga ministri? As nga ministri nuk mundesh. Sepse nuk e fajëson dot. Gjithë Shqipëria e di se nuk ka ardhur në atë post aq të lartë, delikat e aq të rëndësishëm për asnjë meritë apo aftësi profesionale, por vetëm e vetëm si rezultat i një aritmetike koalicioniste krejt banale me të vetmin arsyetim, sipas të cilit ai që është sot në krye të punëve (kryeministër mjek për ironi të fatit) duhet të vazhdojë të rrijë derisa t'i mbetet fryma.
Me fjalë të tjera, jo vetëm të gjitha rrugët të çojnë në Romë, por edhe të gjitha sëmundjet të çojnë tek sistemi shëndetësor, i denjë për Kandahar, që përtej retorikave, nuk është konsideruar kurrë prioritet. Kjo për një arsye shumë të thellë - që jeta njerëzore sot në Shqipëri konsiderohet e padenjë, e si pasojë e pavlerë, e kësisoj periferike në diskursin publik.
Shteti shqiptar shpenzon për qytetarët 20 herë më pak se mesatarja e BE. Atëherë pse të çuditemi se sa i përket mjekësisë; jemi nja 50 herë më të pa mbrojtur dhe më të pasigurt se evropianët dhe rrjedhimisht nja 100 herë më të korruptuar, por edhe se kemi jetëgjatësi nja 10-15 vite më të shkurtër, kohë të shpenzuar kot më kot me varavingo nëpër qendra shëndetësore të sikletshme dhe spitale stalla, pleqëri të mundimshme, fëmijë shëndetlig etj., etj.
Pa zënë në gojë, mungesën e profesionistëve në strukturat spitalore dhe administrative që janë mbushur plotpërplot me fanatikë partiakë arrogantë dhe të paaftë, mungesën e aparaturave, cilësinë e dobët të shërbimit që i detyron shqiptarët të ikin të kurohen jashtë apo në klinika private, duke shpenzuar qimet e kokës, numrin e shtretërve, 2.8 shtretër spitalor për 1000 banorë, as energji për spitalet nuk sigurojmë dot! Kurrkush në botë nuk mund ta imagjinojë se në një shtet evropian, për më tepër në prag të hyrjes në NATO, mund t'i mungojë energjia elektrike në spitale. Apo se Shqipëria ofron burgje më cilësore se spitalet. Apo se harxhon më shumë për paqeruajtjen në Irak e ofron veç paqe të përjetshme për të sëmurët e saj. Ja pra që tek ne ndodh!
Kur dikush ankohet, jo vetëm nga ndonjë dhimbje koke, por për çdo shqetësim shëndetësor, e keni vënë re se si pothuaj gjithmonë tjetri përgjigjet; E ke nga koha! Demek nga retë në qiell, zagushia, temperatura, lagështia e ajrit etj.
Shqiptarit sot nuk i dhëmb, as koka, as këmba, as dora, as barku, as kurrizi, dhe askurrgjë, nga koha meteorologjike.
Shqiptarit sot të gjitha dhimbjet e lëngatat e agonitë nuk i vijnë aspak as nga retë e qiellit, as nga zagushia, as nga lagështia, por vetëm dhe vetëm nga dhimbja e të gjitha dhimbjeve, lëngata e të gjitha lëngatave, agonia e të gjitha agonive, koha politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›